Meta: Kolegji Zgjedhor nuk vendos për datën e zgjedhjeve

schedule12:15 - 25 Qershor, 2019

schedule 12:15 - 25 Qershor, 2019

Nuk rrëzohet dekreti i një Presidenti se Kolegji Zgjedhor vendos të ç’regjistrojë një parti politike nga zgjedhjet imagjinare. Sqarimet i dha Kryetari i Shtetit për të gjithë ata që pretenduan se triumfuan me një vendim të tillë.

 “Vendimi ka të bëjë vetëm me vendimin e kësaj partie dhe organizatës socialiste në KQZ”.

Nisur nga dezinformacionet e shpërndara në media e gjen me vend të sqarojë se Kolegji nuk mund të shqyrtonte vlefshmërinë e dekretit të presidentit, sepse një tagër të tillë nuk ia lejon kushtetuta. Vendimi i marrë nuk mund të prodhojë një efekt juridik qoftë për dekretin qoftë për zgjedhjet.

I pritshëm deri diku për kryetarin e shtetit.

“Një truk procedural, përpjekje e dëshpëruar për të ndërtuar një operacion propagandistik. Vendimi u mor në kushtet e presionit dhe shantazhit. Mjafton të shikojmë fotot që keni botuar ju dhe duket. Shumë të trembur dukeshin”.

Duke ripërsëritur se një dekret presidencial shqyrtohet vetëm nga Gjykata Kushtetuese informon qyetarët dhe ndërkombëtarët se ligjërisht zgjedhjet kanë rënë.

“Jam durimplotë pavarësisht që kanë kaluar gati dy javë që nga hapja e dritares për dialog dhe reflektim. Do të vazhdoj të jem i qetë dhe i duruar. Por të jetë e qartë se Presidenti nuk ndërhyn për të penguar zgjedhje partiake . Por kjo datë ka rënë nuk ekziston më ligjërisht.

Kush dëshiron zgjedhje partiake Presidenti nuk ndërhyn. Kjo të jetë e qartë. Në Shqipëri ka vetëm një institucion që vendos datë zgjedhje ai është Presidenti. Kush vepron me paligjshmëri do të marri atë që i takon”.

Në veçanti një mesazh ia dërgon posaçërisht ndërkombëtarëve.

“Unë nuk kam anuluar zgjedhjet në Itali, apo në një vend tjetër, por në Shqipëri, për shkak të një krize të thellë, që vijon prej disa muajsh. Mos prisni nga asnjë ambasador të iu thotë këtë që po iu them unë.

Nuk  kam anuluar zgjedhjet në asnjë ambasadë, por në Shqipëri. Pa zgjedhje me standarde nuk ka çelje negociatash, kjo është e sigurt. Më besoni se jam esëll gjatë gjithë ditës, jo më në mëngjes”.

Në konferencën për shtyp nuk i dha një përgjigje të drejtëpërdrejtë pyetjes se a do ta shpërndajë apo jo parlamentin.

“Kam bërë çdo veprim me përgjegjshmëri. Do t’i shërbej gjithmonë mbrojtjes së Republikës dhe interesave kombëtare. Shpresojmë që ta bëjmë këtë gjithmonë”.

Presidenti Ilir Meta ka hedhur pas krahëve idenë e dorëheqjes. Ai vazhdon të jetë shpresë plotë se palët do të gjejnë rrugën e dialogut duke i kujtuar se ky ishte edhe qëllimi i anullimit të datës së zgjedhjeve. /ABC news Albania 24/7

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!