Pesë ditë para zgjedhjeve dhe në kushtet kur vendi është përfshirë nga një situatë mjaft e tensionuar politike, kryetari i opozitës Lulzim Basha ka pritur në zyrënb e tij diplomatët e SHBA dhe BE të akredituar në Tiranë. Takimin e parë, Basha e ka zhvilluar me të ngarkuarën me punë të ambasadës amerikane në Tiranë, Lejla Moses Onesh dhe më pas me ambasadorin e BE, Luixhi Soreka. Basha nuk ka pranuar të komentojë atë çfarë ka biseduar me dy diplomatët, por mësohet se në qendër të bisedës ka qenë pikërisht situata e rënduar politike dhe 30 qershori.
Pas takimit me zyrtaren e ambasadës amerikane, Basha tha se me 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje dhe se kjo datë, do të shënojë fundin e regjimit të Edi Ramës. Sipas tij në asnjë vend evropian nuk ka proces zgjedhor pa opozitën dhe fushatat, mitingje elektorale të Ramës janë të paligjshme, pasi nuk ka datë zgjedhjesh të dekretuar nga Presidenti.
“S’ka zgjedhje me 30 qershor. Më 30 qershor nuk ka zgjedhje, nuk ka zgjedhje pa opozitën, votime bën dhe Koreja e Veriut
Nuk ka rëndësi se ç’mendon kryeministri, është një standard i çdo vendi evropian që procesi zgjedhor pa opozitën nuk ka dhe nuk do ketë, nuk do lejohen nuk do pranohen nuk do njihen.
Sot kemi ligjin e zbatueshëm që 30 qershori nuk është datë zgjedhjesh dhe çdo hap i Ramës, fushata, mitingje elektorale janë të paligjshme se ligji thotë që nuk mund të bësh aktivitete të tilla 30 ditë para datës së zgjedhjeve. Datë zgjedhjesh nuk ka”.
Ai nuk bëri ansjë koment rreth bisedës në takimin me të ngarkuarën me punë të ambasadës amerikane në Tiranë, por shtoi 30 qershori është dita kur nis fundi i regjimit autokratik të Ramës.
“Nuk kam ndërmend të komentoj takimet e mia me përfaqëusesit e huaj në Tiranë. Konfirmimi është i qartë në fletoren zyrtare që 30 qershori nuk është datë zgjedhjesh
Kjo nuk ka për të ndodhur, shqiptarët janë më të vendosur se kurrë për të mbrojtur demokracinë. 30 qershori është dita kur nis fundi i regjimit autokratik të Ramës”. /abcnews.al