Ngjarja më e madhe futbollistike e Kupës së Botës ‘Qatar 2022’, nga e cila na ndajnë vetëm dy ditë, është komentuar nga ish-futbollisti i kombëtare Andi Lila në një bisedë në studion e ABC Live me gazetaren Sibora Bitri. Sipas tij pretendentët kryesorë për Kupën e Botës do të jenë Anglia, Franca dhe Belgjika. Lila i bazoi argumentat e tij duke komentuar përbërjen e lojëtarëve të këtyre skuadrave.
“Anglia ka një skuadër gjithmonë pretendente. Franca është pretendente e padiskutueshme e këtij botërori, vjen si kampionia në fuqi. Ka yje të nivelit botëror, Mbappe, ka moshën e duhur për ta marrë përsipër këtë skuadër”, u shpreh ish-futbollisti i kombëtar Andi Lila.
Megjithatë Lila deklaroi që ai zakonisht bën tifo për Italinë, e cila fatkeqësisht nuk do të jetë pjesë e këtij botërori.
Për të një skuadër tjetër që mund të bëjë diferencën është Belgjika, megjithëse historiku e ka cuar gjithmonë deri në çerekfinale.
“Belgjika është një skuadër që mund të bëjë diferencë, se ka disa lojëtarë, që mund të shkojë deri në çerekfinale dhe aty shfaqet Gjermania dhe e eleminon”, tha Andi Lila./ h.ll/abcnews.al