Prokuroria për Krime të Rënda ka marrë në pyetje Drejtorin e Hekurudhave në Durrës, Ani Dyrmishi, në kuadër të dosjes 339 emri i të cilit u përmend në njërin nga përgjimet e publikuara nga e përditshmja gjermane Bild.
Në përgjimet e publikuara, Dyrmishi zbulohet teksa fliste me Astrit Avdylin, ish i dënuar për vrasje. Biseda me Astrit Avdylin është bërë në kohën kur Ani Dyrmishi mbante postin e Drejtorit të Hipotekës në qytetin e Durrësit.
Burime thanë për Abc News se Dyrmishi e ka mohuar të ketë lidhje me Avdylin. Po ashtu, prokurorët e dosjes 339 kanë marrë edhe dëshminë e deputetit të PS, Ilir Ndraxhi, emri i të cilit lakohet gjithashtu në përgjimet e publikuara nga Bild.
Deputeti Ndraxhi i pyetur nga Abc News u shpreh se ka shpjeguar pozicionin e tij, ndërsa shtoi se nuk është në dijeni të bisedave që ka bërë Astrit Avdyli.
“I mohoj akuzat në mënyrë kategorike unë kam asnjë lidhje me këtë person”, është shprehur Ndraxhi ndërsa në përgjime rezulton se vëllai i deputetit flet në telefon me Astrit Avdylin, ku ky i fundit e siguron se Ilir Ndraxhi do të jetë pjesë e listave të PS.
Në pyetje janë marrë edhe zyrtarë të tjerë lokalë, emri i të cilëve përmendet në dosjen 339./ABC News Albania 24/7