Familjet shqiptare po lindin gjithmonë e më pak fëmijë duke çuar në plakjen e shpejtë të popullsisë. Sipas të dhënave të INSTAT në tremujorin e tretë të këtij viti u regjistruan 6 mijë 172 lindje duke shënuar një ulje me 19.6%. Nëse bëjmë një krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë në vend ka pasur 1508 lindje më pak.
Sipas të dhënave të INSTAT në periudhën korrik-gusht-shtator 2022, gjashtë qarqe të vendit kanë pasur shtesë natyrore pozitive të popullsisë, ndërsa në gjashtë qarqet e tjera, shtesa natyrore e popullsisë ishte negative. Në tremujorin e tretë 2022, qarku me shtesën natyrore më të lartë është Tirana, me 928 lindje më shumë sesa vdekje e lidhur kjo edhe me faktin se ka numrin më të lartë të banorëve, ndërsa qarku me shtesën natyrore më të ulët është Korça, me 139 vdekje më shumë se sa lindje.
Në tremujorin e tretë 2022, qarku me numrin më të lartë të lindjeve është Tirana me 2.172 lindje, ndërsa qarku me numrin më të ulët është Gjirokastra me 90 lindje.
Eksperëtt e shpjegojnë këtë fenomen me disa faktorë që janë emigrimi i të rinjve,pamundësia ekonomike si dhe rritja e moshës së martesës.
Të dhënat zyrtare tregojnë se, në vitin 1990, mosha mesatare e popullsisë ishte 26 vjeç, në vitin 2014 ishte 35 vjeç.
Ndërkohë të dhënat më të fundit të Agjensisë Europiane të statistikave Eurostat tregojnë se në fund të vitit 2021 mosha mesatare e popullsisë shkoi në 38,2 vjeç ndonëse Shqipëria ende bën pjesë në grupin e vendeve me popullsi të re në moshë, pasi mesatarja e vendeve europiane është 44 vjeç.
LINDJET NË TREMUJORIN E TRETË
Tirana 2.172 lindje
Durrës 680 lindje
Elbasan 592 lindje
Fier 520 lindje
Berat 252 lindje
Kukës 209 lindje
Gjirokastër 90 lindje