Brazili më në fund i bindi tifozët me lojën e tij në Kupën e Amerikës. Skuadra vendase fitoi 5-0 ndaj Perusë duke u kualifikuar për në çerekfinale
Në stadiume e kishin vërshëllyer shumë, por gjithsesi dashuria nuk ishte zhdukur. Brazilianët e quajnë të shtrenjtë kombëtaren e futbollit dhe e treguan kur e pritën me shumë ngrohtësi në Sao Paulo, ku shkoi për ndeshjen ndaj Perusë në Kupën e Amerikës.
Tifozët nxitën idhujt e tyre që të bënin më shumë sesa thjesht të fitonin. Diçka të tillë duket se ua kërkoi edhe ylli i dëmtuar, Neymar, që nuk ngurroi të vizitonte shokët e skuadrës, për t’i dhënë zemër, dhe për t’u thënë se ndodhej gjithnjë pranë tyre.
E gjitha kjo duket se ndikoi për mirë tek lojtarët e përzgjedhur nga trajneri Tite, që bënë pikërisht atë që pritej në Arenën Korinthians. Në prani të mbi 42 000 spektatorëve, pesë herë kampionët e botës shënuan pikërisht pesë gola, duke fituar 5-0, e duke u kualifikuar në vendin e parë në grup.
Lojtari i Realit, Casemiro, hapi rezultatin që në minutën e 11-të, Firmino i Liverpool-it shënoi golin e dytë dhe Everton thelloi epërsinë brenda pjesës së parë. Pas pushimit, Dani Alves dhe Ëillian vulosën shifrat.
“O Globo”: Brazili bombardon Perunë dhe del i pari në grup! Për t’u mbajtur mend, Firmino e Dani Alves festojnë në fushë, që të dy shënuan në fitoren në Arenën Korinthians!
“Estado de Minas”: Më në fund! Brazili luan mirë dhe kualifikohet me goleadë!
“O Dia”: Ishte siç duhet! Me një lojë shumë të mirë, Brazili shemb me gola Perunë dhe kalon si i pari në grupin A!
Brazili cilësohet si favorit për fitoren finale në Kupën e Amerikës, ndonëse kundërshtarët si Kili apo Uruguai do të përpiqen të shkaktojnë të papriturën./ABC News Albania 24/7