Protesta, ambasada e Italisë: Urgjentisht palët të angazhohen në dialog

schedule18:40 - 21 Qershor, 2019

schedule 18:40 - 21 Qershor, 2019

Ambasada e Italisë në Tiranë i bën thirrje opozitës që protesta të jetë paqësore dhe të shmangen aktet e dhunës.

Duke e cilësuar protestën të drejtë themelore të qytetarëve, ambasada italiane thekson se episodet e dhunës nuk mund të tolerohen, si dhe u kërkon autoriteteve që të tregojnë vetëpërmbajtje.

Njëkohësisht, ambasada e Italisë u bën thirrje palëve politike që të dialogojnë për të zgjidhur krizën në vend.

Deklaratë e Ambasadës së Italisë në Tiranë në prag të protestës së 21 Qershorit 2019:

Ambasada e Italisë në Tiranë respekton dhe mbështet plotësisht të drejtën themelore të qytetarëve shqiptarë për të protestuar, por vazhdon të theksojë rëndësinë e ushtrimit të kësaj të drejte në mënyrë të rregullt dhe paqësore.

Ambasada e Italisë në Tiranë shpreh shqetësim të thellë për episodet e dhunës që kanë ndodhur së fundmi në disa rajone të vendit. Çdo akt i dhunshëm apo formë e nxitjes për dhunë nuk mund të tolerohet në asnjë rrethanë.

Është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e organizatorëve për të garantuar që demonstrimet të zhvillohen në mënyrë të sigurtë, për pjesëmarrësit dhe për të gjithë qytetarët e Tiranës, si dhe për të shmangur çdo formë përshkallëzimi gjatë protestave. Përdorimi i lëndëve shpërthyese apo çfarëdo sendi tjetër të projektuar për të shkaktuar lëndime është absolutisht i papranueshëm. Në këtë kuadër, autoritetet ligjzbatuese gjithashtu kanë përgjegjësinë të vazhdojnë të veprojnë me vetëpërmbajtje, edhe nëse provokohen.

Ambasada italiane në Tiranë u bën thirrje të gjitha palëve të angazhohen urgjentisht në një dialog konstruktiv për të tejkaluar situatën aktuale politike dhe për të mbështetur e konsoliduar përparimin që Shqipëria ka bërë në procesin e reformave./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!