Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla nga Foltorja e Kuvendit deklaroi se projekti për Portin e Durrësit, do ta kthejë qytetin bregdetar në një prej atraksioneve turistike më të rëndësishme në Mesdhe. Ai i bëri thirrje demokratëve që të mos shkojnë pas “këngës” së Sali Berishës, pasi ky i fundit e kundërshton marrëveshjen sepse është në borderonë e Kremlinit.
Balla: Kuvendi i Shqipërisë çel një moment të rëndësishëm për Shqipërinë tonë të turizmit të qëndrueshëm. Shteti shqiptar ka sjellë këtu një kontratë shumë të besueshme që i jep mundësi Shqipërisë që nga një mungesë totale e porteve në Mesdhe, të kthehet në një nga pikat më të rëndësishme të këtij sektori që ne nuk kemi qenë në asnjë prej hartave. Porti i Durrësit shumë shpejt do kthehet në një prej porteve më të rëndësishme.
Durrësi do kthehet në një prej atraksioneve më të rëndësishme në Mesdhe. Prandaj të gjitha akuzat që keni hedhur deri tani duhet t’i tërhiqni të gjitha mbrapsht. Ju nuk duhet t’i shkoni nga mbrapa këngës së Saliut ai e ka mendjen në vend tjetër, është në borderotë e Kremlinit. Kremlini nuk ka interes që në Shqipëri të krijohet një port që të konkurrojë porte të tjera ku Kremlini mund të ketë interesat e veta. Sali Berisha i kundërshton këto marrëveshje për interesat e veta.
/Abcnews.al/