Veliaj inspekton punimet te gjimnazi “Partizani”: Punët tona janë për gjeneratën e ardhshme, jo për zgjedhje

schedule14:09 - 6 Nëntor, 2022

schedule 14:09 - 6 Nëntor, 2022

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet te gjimnazi “Partizani”, një tjetër investim i rëndësishëm, që i shtohet buqetës prej 42 shkollave të ndërtuara në kryeqytet. Veliaj tha se çdo shkollë po bëhet më e mirë se tjetra.

“Kur të mbarojë, me cilësinë e punimeve që pashë, si po e përforcojmë shkollën e vjetër, si po shtojmë klasat e reja, laborator dhe bibliotekë të re, po ashtu edhe një super palestër, shkolla “Partizani” do të jetë vërtet më e mirë se “Samiu”. Madje, edhe fasada. Mezi pres që diplomimin e brezit të 2023-it, në qershor, të jemi këtu, t’i japim një fillim të ri ‘Partizanit’. Shkolla e re do të jetë vërtetë një stoli për Njësinë 8, por edhe një burim i jashtëzakonshëm dijesh e energjie pozitive për komunitetin”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku tha se punët po bëhen për gjeneratat e ardhshme dhe jo për zgjedhjet e ardhshme.

“Kjo është shkolla e 42-të në këtë mandat. Sigurisht, ai që sheh zi, do të thotë se nuk është bërë asgjë. Ai që sheh me qartësi, do thotë ‘inat kije, por hakun mos ia ha’. Shkollat janë bërë dhe ky është realiteti. Ne duhet të fokusohemi që puna të mbarojë në afat. S’ka lidhje fare me zgjedhjet sepse qershori është pas zgjedhjeve. Nuk bëjmë asgjë me ngut për shkak të fushatës, por i bëjmë siç duhet sepse në fund planet nuk janë për zgjedhjet e ardhshme, por për gjeneratat e ardhshme. Nëse punojmë për gjeneratat e ardhshme, i kemi punët në rregull. Po u morëm me këto llogaritë e vogla, si e tha, si ma tha, me cic-mice, humbasim kohë shumë të çmuar”, theksoi Veliaj.

Me ndërtimin e shumë shkollave të reja dhe rikonstruktimin e shumë të tjerave, me cilësi dhe kushte moderne, Veliaj tha se nxënësit do e kenë shumë më të lehtë të marrin dije.

“Jeta për të rinjtë e ‘Partizanit’ do jetë edhe më e thjeshtë për disa arsye: fakti që po ndërtojmë një shkollë të re tek ish-Ujësjellësi, shkollën “Lek Gjiknuri” dhe fakti që, te pjesa e poshtme e Unazës deri tek Bregu i Lumit, do kemi shkollën “Kiço Blushi”, do të thotë se ulim ndjeshëm dyndjen te ‘Partizani’. Edhe fakti se hapëm një gjimnaz tjetër si “Luan Hajdaraga”, është garanci se po ndërtojmë dhe rindërtojmë shkolla që u shërbejnë nxënësve në çdo drejtim”, përfundoi Veliaj.

Gjimnazi “Partizani” po rindërtohet më i fortë dhe me cilësi shumë më të mirë se ç’ishte më parë, për të mirëpritur nxënësit në vitin e ri shkollor./Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!