Dimensioni i shkrimtarit të njohur italian dhe europian në shekullin e 20 Alberto Moravia bëri bashke studiues, përkthyes dhe studentë të letërsisë. Botuesi Petrit Ymeri tha se prezenca e autorëve të rëndësishëm bashkëkohor duhet të jetë më e madhe në këto mjedise. Ndërsa shqipëruesja e veprës “Agostino” nënvizoi fuqinë e Moravisë për të zhytur në mendime.
Prezantimin e veprës “Agostino” të autorit italian Alberto Moravia botuesit kanë përzgjedhur ta prezantonin në auditorët e letërsisë. Petrit Ymeri thotë se edhe pse është një ndër emrat më të njohur të letërsisë italiane dhe europiane të shekullit 20, nuk është i pranishëm në kurrikulat shkollore.
Shqipëruesja e romanit Diana Kastrati e cilëson një roman të shkëlqyer psikologjik, i cili tejkalon edhe kohën. Kastrati na shpjegon edhe vështirësitë e të përkthyerit të cilat nuk janë leksikore, por psikologjike dhe intelektuale.
Alberto Moravia është ndër ato autorët, të cilët guxon dhe ka fuqinë e mendjes dhe penës për të artikuluar edhe anët më të errëta të qenies njerëzore. Krahas romanit Agostino u diskutua edhe rreth veprës “Çoçarja” dhe “Burri që këqyr”./ABC News Albania 24/7