Cilën nga PD-të do të regjistrojë KQZ për zgjedhjet vendore? Celibashi: Nuk e them dot sot

schedule11:18 - 4 Nëntor, 2022

schedule 11:18 - 4 Nëntor, 2022

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi nuk ka pasur sot një përgjigje konkrete kur është pyetur nga gazetarët se cilën nga PD-të do të regjistrojë KQZ-ja në zgjedhjet e 14 majit.

Kryekomisioneri u shpreh se KQZ mund të thotë se kush ka qenë kryetar i PD-së në zgjedhjet e pjesshme vendore apo në zgjedhjet e 25 prillit, por se cila nga PD-të do të njihet nga Komisioni i Zgjedhjeve në zgjedhjet e kësaj pranvere është herët për të folur.

“Kur të kem dokumentacion, do ta keni përgjigjen. Nuk kam çfarë të them më shumë se kaq,” tha Celibashi.

E ndërsa gazetarët i kujtuan se Lulzim Basha e ka dhënë dorëheqjen, kryekomisioneri theksoi edhe një herë se bëhet fjalë për një proces që është në shqyrtim.

“Nuk hezitohet për një përgjigje. Kjo është pjesë e një procesi shqyrtues. Nuk do të ishte korrekte që vendimin ta prezantoja pa e marrë. Kur të jetë për t’u diskutuar do të ekzistojë transparenca e argumentuar për vendimin.”

Ndërsa, i pyetur se cili është përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike në KQZ, Marash Logu apo Ivi Kaso, Celibashi tha se PD përfaqësohet nga Logu dhe Indrit Sefa. Pra nga përfaqësuesit ligjorë të grupimit të Alibeajt. /abcnews.al/