Nikolas Sarkozi ka humbur betejën për t’i shpëtuar organeve të drejtësisë. Një gjykatë në Francë ka vendosur që ish-presidenti të gjykohet për akuzat e korrupsionit dhe abuzimit me anë të detyrës.
Ish-presidenti francez Nikolas Sarkozi ka humbur në përpjekjen finale për t’i shpëtuar procedimit për akuzat e korrupsionit dhe abuzimit me anë të pushtetit. Konkretisht, Sarkozi akuzohet se është përpjekur të korruptojë një prokuror, duke i ofruar një post prestigjoz në këmbim të informacioneve për një hetim penal që po zhvillohej ndaj partisë së tij.
Gjykata e Lartë e Francës hodhi poshtë apelin e ish-presidentit, duke vendosur se ai duhet të përballet me procesin gjyqësor që do të mbahet në muajt në vijim. Në gjyq do të dalin edhe prokurori të cilit ai u përpoq t’i jepte ryshfet, Gilbert Azibert dhe avokati i tij personal Thierri Herzog. Çështja është e fokusuar tek bisedimet e regjistruara mes prokurorit Azibert dhe zotit Herzog, me hetuesit që po shqyrtojnë deklaratat e tyre se Sarkozi pranoi pagesa të paligjshme nga trashëgimtarja e grupit “L’Oreal”, Lilien Betenkurt për fushatën e tij presidenciale të vitit 2007.
Hetimet gjithashtu kanë treguar se ish-kreu i shtetit dhe avokati i tij përdorën telefonë celularë dhe emra të rremë për të komunikuar mes tyre, me Sarkozy që mbante pseudonimin Pol Bismuth. Nga ana e tij Sarkozi i ka mohuar akuzat për krimet financiare. Vitin e kaluar ai mohoi që të kishte marrë financime për fushatën nga diktatori libian Muamar Gaddafi. Megjithatë, ai u ndalua dhe u mor në pyetje nga hetuesit. /ABC News Albania 24/7