Lulzim Basha është paraqitur sot në prokurorinë e Tiranës për thirrjen ndaj tij për paratë e lobimit në SHBA. Në dalje, kryetari i PD tha për gazetarët se ka konstatuar se prokuroria nuk kishte asnjë provë ndaj tij, por rasti po përdoret politikisht për të shpërqendruar vëmendjen nga përgjimet e tjera që do publikojë të enjten gazeta gjermane Bild.
Hyri në institucionin e akuzës. Pas 30 minutave doli sepse iu vu në tavolinë një dosje bosh u tha Lulzim Basha gazetarëve.
“Dosjen ju thashë të ma vënë në dispozicion sot, se s’e kishin gati. Nuk e kishin gati dosjen, se s’kanë dosje.
U njoha me akuzën që s’është akuzë, sepse nuk ka asnjë fakt, asnjë provë, s’ka asnjë dokument të falsifikuar në dosje, s’ka asnjë transaksion për pastrim parash, nuk ka asnjë rus të vetëm, nuk ka asgjë”, tha ai.
Ka vetëm një shpjegim përse ndodhet në dyert e prokurorisë së Tiranës këtë të mërkurë.
“Arsyeja e vetme pse unë jam sot para jush është që të shërbej si shpërqendrim për ju dhe për qytetarët, për skandalet që kanë plasur nga Bild-i dhe ato që janë njoftuar se do të plasin nesër. Kjo është arsyeja e vetme pse sot jam këtu, para jush”, tha ai.
Se përse prokuroria i dërgoi dy thirrje dhe një paralajmërim për shoqërim me detyrim është një histori që e ka përjetuar jo një, por pesë herë sqaroi kryedemokrati Basha.
“Herën e parë kam qenë kur plasi skandali i Sajmir Tahirit. Herën e dytë më thirrën, kur plasi skandali i Geron Xhafës. Herën e tretë më thirrën, kur plasi skandali i Rrahman Rrajes dhe i Taulant Ballës. Herën e katërt më thirrën, kur plasi skandali i Vangjush Dakos. Në mos gabohem, edhe për skandalin e “Toyota Yaris”
Kjo është hera e pestë. Sa herë që plasin skandalet e kësaj qeverie të lidhur me krimin, këta riaktivizojnë një dosje ku nuk ka asnjë fakt, asnjë prove, për një arsye të thjeshtë, është montuar në zyrën e Edi Ramës për llogari të Edi Ramës”, tha lideri i opozitës.
Nuk do të arrijnë të shpërqendrojnë shqiptarët nga skandalet e publikuara e ato që do të shfaqen të enjten. Një mision që do të dështojë me sukes të plotë thotë shefi i opozitës duke u ndjerë i sigurtë se nuk ka llogari të hapura me drejtësinë.
“Këtu ku jemi, ka plot njerëz të frikësuar. Disa prej tyre sapo i takova, por unë nuk jam njëri prej tyre”, tha ai./ABC News Albania 24/7