“Ngjarja degradoi në përdorimin e forcës fizike”, çfarë ndodhi në Dibër (Video)

schedule09:50 - 19 Qershor, 2019

schedule 09:50 - 19 Qershor, 2019

Një fëmijë 6 vjeç mbeti i plagosur pak pas mesnate në qytezën e Krastës në Martanesh. Siç raporton gazetari i Abc News, Neki Feta, shkak është bërë konflikti që autori i ngjarjes, Jetmir Koxherri pati me babain e të miturit në një lokal.

27-vjeçari është konfliktuar fillimisht verbalisht me Miftar Rrushin, ndërsa më pas gjithçka degradoi në një sherr fizik. Pas largimit nga lokali, Koxherri ka shkuar në shtëpinë e tij, ka marrë armën automatike dhe ka qëlluar me breshëri në banesën e Rrushit. Për pasojë është plagosur me katër plumba fëmija i këtij të fundit.

“Bëhet fjalë për një ngjarje të rëndë të ndodhur në orët e vona pas mesnatës në qytezën e Krastës. Në lokalin në qendër të kësaj qyteze kanë qenë duke pirë disa persona. Për motive të dobëta sipas policisë ka pasur një shkëmbim verbal mes tyre dhe më pas ngjarja ka degraduar në përdorimin e forcës fizike. Pas largimit nga skena e ngjarjes autori Jetmir Koxherri ka shkuar në shtëpinë e tij ku ka marrë një armë automatike dhe ka qëlluar drejt banesës së Miftar Rrushit. Për pasojë nga plumbat është plagosur djali i Miftar Rrushit, 6-vjeçar. Ka marrë katër plumba sipas mjekëve, një në zonën e qafës ku plumbi nuk dalë. Ka patur një plumb në trup dhe dy plumba në këmbë. I plagosuri është sjellë në spitalin rajonal të Peshkopisë rreth orës dy të mëngjesit. Është trajtuar nga mjekët e spitalit të Peshkopisë dhe më pas për ndihmë më të specializuar është dërguar në spitalin e Traumës me helikopter”, raportoi gazetari Neki Feta.

Për ABC News ka folur edhe mjeku Agron Mezenxhiu që trajtoi fillimisht plagosjen e të miturit. Ai ka deklaruar se fëmija ka marrë katër plagë dhe ka ardhur në spital në gjendje të rëndë. Pasi u stabilizua, ai u dërgua me helikopter në Spitalin e Traumës në kryeqytet për të marrë ndihmë mjekësore më të specializuar.

“Fëmija erdhi rreth orës 1 i plagosur me armë zjarri. Kishte një plagë të madhe në fytyrë dhe plumbi i ngelur mbrapa qafës. Kishte një dëmtim në kyç dhe një plagë të madhe në kofshën e djathtë. Gjithashtu kishte dhe një plagë, e cila mund të ishte një rikoshet në bazën e hemitoraksit të majtë. U reanimua, ishte në gjendje të rëndë me anemi të theksuar. U reaminua në sitalin e Dibrës me gjak. Gjendja u stabilizua. Rreth orës 7 u lajmërua qendra në Tiranë dhe erdhi helikopteri e çuam për një trajtim më të specializuar në spitalin e Tiranës. Aktualisht u reanimua me tërë mjetet e mundshme në spitalin e Dibrës. Gjendja ngelet problematike se mund të kërkojë ndërhyrje kirurgjikale në struktura mjaft vitale të organizmit”, tha doktori në spitalin e Dibrës.

Autori i ngjarjes, 27-vjeçari Jetmir Koxherri është arrestuar nga policia. Gjithashtu është sekuestruar edhe arma automatike që ai përdori për të kryer krimin./abcnews.al