Katër ditë para përfundimit të afatit për targat ilegale, Qeverisë së Kosovës i kërkohet që mos të shtyjë sërish vendimin për konvertimin e targave të lëshuara nga autoritetet serbe në RKS. Pavarësisht kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shtyrje të afatit edhe për dhjetë muaj, pozitë, opozitë dhe njohës politik, kërkojnë që vendimi të hyjë në fuqi më 1 nëntor.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, i ftuar në emisionin “Ballkan” në ABC, me gazetaren Linda Karadaku theksoi se pavarësisht se janë në opozitë, kur bëhet fjalë për politikën e jashtme dhe dialogun me Serbinë mbështesin qeverinë Kurti.
Lekaj: Sa i përket dialogut apo marrëveshjes për targat, mendoj që qeveria e Kosovës ka marrë një vendim paraprak që është shtyrë për një muaj dhe skadon më 1 nëntor. Duhet respektuar nga qytetarët e Kosovës. Edhe pse jemi opozitë, kur është në pyetje politika e jashtme dhe dialogu me Serbinë nuk e lëmë qeverinë në baltë dhe veprojmë sipas Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve të Kosovës.
Lekaj deklaroi se reciprociteti është një masë që përdoret çdo kund edhe me ligjet ndërkombëtare. Por, siç theksoi Lekaj, opozita e ka bërë të qartë që ky vendim të merret në bashkëpunim me ndërkombëtarët.
Lekaj: Kosova nuk është e interesuar që të ketë trazira. Jemi të interesuar që të kemi një marrëveshje përfundimtare që të dy palët të kenë njohje reciproke. Ne si AAK përkrahim reciprocitetin dhe qeverinë që të zbatojë vendimin që ka marrë, pa bërë kompromise të tjera. Pse nuk bëhet presion edhe te pala serbe që Beogradi të jetë i dëgjueshëm?
Ish-ministri i Infrastrukturës në studion e “Ballkan” deklaroi se pala që nuk ka qenë e interesuar të zbatojë marrëveshjet ndërkombëtare nuk është Kosova, por Serbia. Sipas tij, nga ana e ndërkombëtarëve duhet bërë presion mbi Serbinë. Për sa i përket asociacionit, Lekaj theksoi se nuk mund t’i thonë “Po”, kur bëhet fjalë për krijimin e një shteti brenda shtetit.
Lekaj: Ne jemi të interesuar që të kemi zbatim të Kushtetutës së Kosovës. Ne i themi po një asociacioni që nuk ka kompetenca ekzekutive, por që të mund të jetë një organizim siç është asociacioni i komunave të Kosovës. Ne na pengon shumë nëse krijojmë një nivel të tretë qeverisës, apo shtet brenda shtetit. Ne i themi po asociacioni pa kompetenca ekzekutive dhe i themi jo të madhe asociacionit me kompetenca ekzekutive./Abcnews.al/