Stadiumi i ri kombëtar mund të mos përfundojë as në shtator. Vetë presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, shprehu dyshime për mbylljen në kohë të punimeve.
Afatet janë shkelur, dhe fundi ende nuk dihet. “Arena Kombëtare”, stadiumi i ri dhe modern në Tiranë, mund të mos shijohet nga ekipi përfaqësues dhe nga tifozët as në muajin Shtator.
I menduar fillimisht për t’u bërë gati shumë muaj më parë, impianti nuk mundi të përfundonte as në fund të vitit të kaluar, dhe as në Qershor, siç e kërkoi me ngulm kryeministri Rama, në përpjekje për të pasur një sukses sportiv në fushatën zgjedhore.
Shtatori u dha si koha e re e mbylljes së punimeve, dhe këtë gjë e komentoi presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.
“Shumë kush e sheh gjysmë plot dhe gjysmë bosh për çka i përket termave kohorë për Shtatorin. Ne i kemi vënë objektiv kompanisë që duam të luajmë në Shtator dhe me të vërtetë e kemi shumë të domosdoshme të luajmë në Shtator në këtë stadium jo vetëm sepse duam ta shijojmë stadiumin e ri, duam të kemi kushte sa më të mira për spektatorin, por duam të arrijmë më shumë rezultat në praninë e më shumë spektatorëve dhe me një atmosferë akoma më të mirë. Kështu që do bëjmë të gjitha përpjekjet dhe kompania gjithashtu po bën të gjitha përpjekjet, por nuk mund të jemi shumë të sigurt për Shtatorin”, tha ai.
Nëse nuk arrihet shtatori, atëherë shpresohet që stadiumi të mund të presë ndeshjen kryesore të grupit tonë eliminator në Euro 2020, atë ndaj Francës. Duka vizitoi Arenën në krah të presidentit të Federatës Çeke të Futbollit, Martin Malik, i cili erdhi në Shqipëri me ftesë pikërisht të palës shqiptare. Së bashku, ata vizituan më pas edhe zyrat e reja të Federatës Shqiptare, që po ndërtohen në ish-kompleksin Dinamo./ABC News Albania 24/7

