Tropojë, largohen me forcë materialet zgjedhore nga KZAZ 9

schedule11:49 - 18 Qershor, 2019

schedule 11:49 - 18 Qershor, 2019

Një grup njerëzish kanë sulmuar qendrën e votimit në Tropojë. Ata thyen xhamat dhe dyert, e më pas kanë dëmtuar materialet zgjedhore, që ndodheshin brenda ambientit të KZAZ-së numër 9. Më herët Bashkia kishte marrë vendimin për lirimin e ambienteve ku ndodhen KZAZ-të.

Ajo çfarë ishte paralajmëruar më herët ndodhi në Tropojë. Materialet zgjedhore të 30 Qershorit përfunduan në sheshin kryesor të Bajram Currit para muzeut me të njëjtin emër. Aty ku ishte vendosur KZAZ numër 9, e që po përgatitej për procesin zgjedhor të 30 Qershorit.

Të prirë nga punonjësit e Bashkisë së Tropojës, qytetarë të shumtë u përplasën me policinë vendore. Ata hynë forcërisht në mjediset e muzeut, pronë e Bashkisë Tropojë.

Nuk është dashur shumë kohë edhe pse më shumë debate me policinë, që materialet zgjedhore mes xhamash të thyer e dritare të shkatërruar të përfundojnë jashtë godine.

Më herët, Bashkia e Tropojës e cila drejtohet nga PD dhe për kryetar ka Besnik Dushajn, kishte njoftuar me shkrim, KZAZ e policinë vendore për lirimin vullnetar te ambienteve. Por kjo nuk ndodhi.

Vendimi për të mos lejuar përdorimin e ambienteve të bashkive për zgjedhjet e 30 Qershorit është marrë në unison nga 27 bashkitë e opozitës. Me të njëjtin model shkresash njoftuan autoritet e policisë lokale dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Sa duket edhe bashkitë e tjera do të operojnë me të njëjtën procedurë për të mos lejuar zhvillimin e zgjedhjeve në datën 30 Qershor./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!