Nga Ajgena Korbi
Në më shumë se 40 programe studimi në universitetet publike këtë vit akademik ka më pak se 10 studentë ndërsa në të paktën 21 degë numri i maturantëve të regjistruar nuk shkon as pesë.
Në vetëm 5 prej institucioneve të arsimit ta lartë 10 programe studimi qëndrojnë të hapura për 1 ose dy studentë. Situatë e tillë paraqitet në shkollat e larta në vend në mbyllje të raundit të dytë të regjistrimit.
Problematikë më e theksuar tregon Drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar Arjan Xhelaj vihet re në universitetet e rretheve dhe degët e kombinuara.
“Bashkim i dy fushave të ndryshme ose të ngjashme nuk kanë rezultuar produktive ndër vite. Ka ardhur koha të mbyllen duke qenë se interesi i maturantëve është spostuar në programe që ofrojnë punësim të shpejtë.”
Por kjo vendimmarrje i takon universiteteve.
Drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar sugjeron orientim të burimeve njerëzore dhe financiare në programe studimi që i përshtaten tregut të punës.
“Mbetet në dorë të universiteteve, mbyllen ose pezullohen për të orientuar resurset drejt programeve me kërkesë më të lartë.”
Edhe këtë vit degët më të pëlqyera mbeten teknologjia e informacionit, shkencat mjekësore dhe ekonomiku. Për raundin e tretë të regjistrimeve që mbyllet më 7 nëntor kanë aplikuar rreth 3 mijë maturantë ndërsa në dy raundet e para u regjistruan 19 mijë e 300 të rinj. /abcnews.al/