Për të ndryshuar të ardhmen tonë, duhet të ndryshojmë mënyrën se si ua mësojmë fëmijëve historinë

schedule09:52 - 25 Tetor, 2022

schedule 09:52 - 25 Tetor, 2022

Nga Yuval Noah Harari

Ne nuk mund t’i mbrojë fëmijët nga historia. Në Ukrainë, miliona familje kanë humbur shtëpitë e tyre për shkak të luftës së nisur nga Vladimir Putin. Në Nju Delhi të Indisë, temperaturat rekord prej 50 gradë Celsius i detyruan fëmijët të qëndronin mbyllur brenda shtëpive të tyre këtë verë, duke mos pasur mundësi të studiojnë apo luajnë.

Çmimet globale të ushqimeve po rriten, duke bërë që jo pak fëmijët në të gjithë botën të vuajnë pasojat e urisë. Pra është e pashmangshme që brezi i ardhshëm do të dojë të përballet me pyetjet e mëdha: Pse ka luftëra? Cili është vendi ynë në natyrë? Çfarë është paraja, dhe pse është ajo kaq shumë e rëndësishme?

Shpeshherë, fëmijët i marrin këto pyetje shumë më seriozisht sesa të rriturit. Ata vënë në dyshim gjërat që të rriturit i marrin si të mirëqena. Të rriturit mund të bezdisen kur një fëmijë reagon me pyetjen “Pse?” pas çdo përgjigje që japin. Por zakonisht, fëmija vetëm sa po përpiqet t’i gjejë fundin disa gjërave, në një mënyrë që të rriturit nuk e bëjnë më.

Një gjë tjetër, ajo nga e cila s’mund t’i mbrojmë dot fëmijët është ekspozimi ndaj rrëfimeve të rreme historike. Që në moshë shumë të hershme, të rinjtë bombardohen me mite dhe informacione të gabuara, jo vetëm mbi ngjarjet aktuale, por edhe për historinë bazë të vetë njerëzimit. Pra kush jemi, nga vijmë dhe si arritëm këtu.

Për shembull, në vendin tim të lindjes, Izraelin, edhe nxënësit në shkollat laike mësojnë zakonisht historinë e Kopshtit të Edenit, dhe shohin imazhe shumëngjyrëshe të Arkës së Noes, shumë kohë përpara se të dëgjojnë për Neandertalët apo të shohin artin e shpellave të Lasko dhe Sulauesi.

Dhe kjo qasje ka ndikimin e vet. Pasi është e mundur të gjurmohet një vijë e drejtpërdrejtë nga urdhri i Zotit për njerëzit tek libri i Zanafillës “popullojeni Tokën dhe nënshtrojeni atë” deri në Revolucionin Industrial dhe krizën e sotme ekologjike. Një linjë tjetër e drejtpërdrejtë e ndikimit mund të nxirret nga rrëfimet historike që mësojnë fëmijët rusë në shkollë, tek pushtimi i Ukrainës nga Putin dhe kriza globale e ushqimit që ka shkaktuar ai.

Në rast se i lëmë fëmijët në mëshirën e miteve, çmësimi i këtyre ideve më vonë gjatë jetës do të jetë një detyrë e vështirë, dhe ndonjëherë e pamundur. Prandaj është jetike që ne të flasim hapur me fëmijët në lidhje me çështjet e mëdha dhe në një mënyrë të përgjegjshme, shkencore të bazuar në prova, në vend të besimit dogmatik.

Kjo është një sfidë me të cilën jam përballur kohët e fundit, kur po shkruaja historinë e botës për fëmijët. Ajo që kam mësuar nga ky projekt, është fakti se adresimi i çështjeve të mëdha për fëmijët është një punë tepër delikate. Disa lëndë janë argëtuese, si eksplorimi i jetës së përditshme të gjuetarëve-mbledhësve të epokës së gurit, kur njerëzit jetonin në natyrë dhe kur fëmijët i kalonin ditët duke mësuar sesi të ngjiteshin në pemë, si të gjurmonin kafshët dhe të ndiznin zjarrin.

Por temat e tjera janë më sfiduese. Për shembull, analiza e asaj që ndodhi kur Sapiensët e lashtë takuan Neandertalët, na nxit të diskutojmë se si mund të ishte jeta e një fëmije me një nënë Sapiens dhe një baba Neandertal, duke nxjerrë në pah tema të tilla si racizmi, lufta, gjenocidi dhe zhdukja.

Është thelbësore që ne t’u flasim fëmijëve për anën e errët të historisë. Por si të shmangim paralizimin e tyre nga frika? Një parim udhëzues në këtë rast, është se ne duhet të shmangim përshkrimet në detaje të ngjarjeve të tmerrshme, derisa fëmijët të jenë mjaftueshëm të pjekur për t’i kuptuar si duhet ato.

Ndaj kur duhet të flasim për katastrofa dhe padrejtësi, është më mirë të vihet theksi tek liria: pavarësisht se sa të tmerrshme janë gjërat, njerëzit zakonisht mund të bëjnë një ndryshim për mirë. Dhe ky nuk është mendim i dëshiruar, por vetë thelbi i historisë. Në fund të fundit, historia nuk është studimi i së kaluarës, ose thjesht një listë luftërash, fatkeqësish, dhe mbretërish të vdekur që sunduan mijëra vjet më parë.

Historia është studimi se si ndryshojnë gjërat. Në rast se ne mendojmë se bota ka qenë gjithmonë e njëjtë, dhe se mënyra se si jetojmë sot është vetmja se si duhet jetuar, atëherë është e natyrshme të ndjejmë sikur ndryshimi është i pamundur, dhe se problemet me të cilat përballemi janë të pazgjidhshme.

Pra edhe nëse gjërat janë shumë të padrejta, çfarë mund të bëjmë? Kështu është bota, i themi vetes. Por duke studiuar historinë, ne mësojmë se njerëzit nuk kanë jetuar gjithmonë si ne, dhe se bota po ndryshon gjatë gjithë kohës. Njerëzit e bënë botën atë që është sot, dhe janë po njerëzit ata që mund ta ndryshojnë atë.

Sigurisht, kjo nuk është një detyrë e lehtë, por kjo gjë ka ndodhur shumë herë në të kaluarën. Kjo është arsyeja pse historia është kaq e fuqishme. Ajo është çelësi për të ndryshuar botën. Kjo është aq e vërtetë saqë në shumë vende, qeveritë kanë frikë nga historia.

Udhëheqësit i ndalojnë rrallëherë njerëzit që të mësojnë matematikë ose fizikë. Por shumë qeveri i ndalojnë njerëzit – sidomos të rinjtë – të mësojnë të paktën disa pjesë të historisë. Gjithçka kthehet pas tek ata mbretër të vdekur që sunduan mijëra vjet më parë, me duart e tyre të akullta që zgjaten nga përtej varrit për të kapur mendjet tona, dhe për të ngrirë ndryshimet.

Tek e fundit, kanë qenë këta mbretër të vdekur prej kohësh që shpikën dhe përhapën histori të ndryshme mbi Perënditë, kombet, paratë dhe dashurinë, të cilat besohen nga shumë njerëz sot dhe u përmbahen. Për të fituar njëfarë lirie nga këto rrëfime dhe për t’u sjellë ndryshe, ne duhet të kuptojmë se si u krijuan dhe u përhapën ato.

Përndryshe, nuk do t’i shohim kurrë ashtu siç janë: thjesht tregime. Fëmijët që pyesin “Pse?” janë një forcë e fuqishme që mund t’i shkundë deri në themele këto përralla të vjetra. Por përveçse duhet të shmangim terrorizimin e tyre, ne duhet të jemi të kujdesshëm edhe për të mos i ngarkuar të rinjtë me përgjegjësitë tona.

Mëkati më i vjetër që bëjnë shpesh të rriturit, është pritshmëria që fëmijët të marrin përsipër projektet tona, dhe sidomos të zgjidhin problemet, të cilat donim t’i zgjidhnim ne, por nuk e kemi kuptuar se si.

Kur flasim me fëmijët mbi çështje të mëdha, ne duhet që herë pas here të pyesim veten pse po e bëjmë vërtet këtë. Çdo njeri në botë bart një barrë të rëndë. Kur u mësojmë historinë të rinjve, ne e bëjmë ndonjëherë këtë për të zhvendosur një pjesë të barrës sonë mbi supet e brezit të ardhshëm. Ne duam që të rinjtë të vazhdojnë të bartin me vete besimet, kujtimet, identitetet dhe konfliktet që na kanë rënduar gjatë gjithë jetës sonë.

“Ja pra fëmijë, unë i çova këto gjëra deri në këtë pikë, tani është radha juaj!” Por kjo qasje është e padrejtë. Një arsye shumë më e mirë për të mësuar historinë, është të ndihmohen fëmijët të çlirohen nga të paktën një pjesë e frikës, iluzioneve dhe urrejtjeve të tyre.

“I shihni këto gjëra, fëmijë? Unë jam përballur me to për vite me radhë, dhe ato e kanë bërë të mjerë jetën time. Ndaj bëni kujdes! Nuk duhet të merreni me to!” Shpresoj që historia të bëhet një mjet për të çliruar njerëzit dhe jo për t’i mbajtur ata peng të së kaluarës. Ajo duhet të jetë një mekanizëm për të krijuar marrëveshje të reja, në vend se të përjetësojnë konfliktet e vjetra. Tek e fundit, qëllimi i mësimit të historisë nuk është të kujtosh të kaluarën, por të çlirohesh prej saj.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!