Gjykata ka vendosur masën arrest me burg 60 ditë për Sajmir dhe Landi Mirin, dy vëllezërit që vranë Indrit Ndojn në Fushë Krujë ditë më parë.
ABC mëson se dy vëllezërit kanë ndryshuar dëshminë e tyre para Gjykatës sot, duke thënë se nuk e kanë vrarë 34-vjeçarin.
Ndërsa ditën e arrestimit, e shtunë, 22 tetor, dy vëllezërit pranuan krimin dhe u shprehën të penduar për çdo gjë që kishte ndodhur me viktimën.
Ata thanë se nuk e kishin në plan të vrisnin Indrit Ndojn dhe se situata u doli nga kontrolli.
Indrit Ndoji u gjet i pajetë në një kanal në anë të rrugës nga familjarët e tij ndërsa ishin nisur për punë.
Trupi u gjet pas orës 08.00 të mëngjesit të premten, 21 tetor, ndërsa dyshohet se 34-vjeçari ndodhej aty i pajetë për rreth 8-9 orë.
Vëllezërit Miri u arrestuan nga policia të shtunë, 22 tetor.
Sipas ekspertizës 34-vjeçari fatkeq është qëlluar nga autorët me kaçavidë. Sakaq uniformat blu bëjnë me dije se janë sekuestruar provat ligjore që çuan në zbardhjen e ngjarjes dhe në identifikimin e autorëve.
Dy vëllezërit janë konfliktuar fizikisht, për motive të dobëta, me 34-vjeçarin, i cili ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi” dhe e kishte thyer masën duke dalë në rrugë.
/abcnews.al./