Mazhoranca depoziton kërkesën për shkarkimin e Presidentit Meta

schedule09:50 - 17 Qershor, 2019

schedule 09:50 - 17 Qershor, 2019

Mazhoranca dërgoi sot në Kuvend kërkesën për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Ishte kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili gjatë një konference për mediat njoftoi se janë 55 deputetë që e kanë firmosur kërkesën për shkarkimin e Metës.

“Me mbështetjen e firmave të 55 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë që përbëjnë më shumë se 1 të 4 e deputetëve të Kuvendit sapo kemi depozituar kërkesën për shkarkimin e Presidentit të Republikës zotit Ilir Meta”, tha Balla.

Balla thekoi se me vendimin për anulimin e zgjedhjeve të 30 Qershorit, Presidenti Ilir Meta ka cenuar parimin e sovranitetit nga populli.

“Nisur nga veprimet e presidentit, atyre akteve që ai ka nxjerrë dhe pasojave që ai ka sjellë, duke cenuar rëndë parimin e sovranitetit nga ana e popullit, duke shkelur Kushtetutën dhe duke marrë tagrat e Kuvendit dhe sovranit, duke u sjellë arbitrarisht si pushtet ekzekutiv i pakufizuar përkundër natyrës së Republikës Parlamentare; duke shtyrë arbitrarisht datën e zgjedhjeve; duke cenuar parimin e peridiocitetit të zgjedhjeve; duke cenuar parimin e ushtrimit të pushtetit në shtet nga një qeverisje e dalë nga zgjedhje të lira, duke cenuar parimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë duke nxjerrë akte në kundërshtim të hapur dhe flagrant me ligjet, duke cenuar parimin e të drejtës së qytetarëve si sovran për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur vlerësojmë se këto përbëjnë shkelje shumë të rëndë të Kushtetutës dhe ligjeve të kryera nga Presidenti i Republikës dhe në këtë mënyrë plotësohen kushtet e parashikuara nga neni 90 i Kushtetutës ndaj përfundimisht kërkojmë nisjen e procedurave për shkarkimin e Presidentit të Republikës. Zoti Ilir Meta ka humbur të drejtën të qëndrojë në atë zyrë në pëlqimin tonë”, tha Balla.

Me depozitimin e kërkesës bashkangjitur dhe firmat aktivizohet mbledhja e Komisionit të Ligjeve, që vendos ngritjen ose jo të një komisioni hetimor mbi pretendimet për shkeljen e Kushtetutës nga ana e Presidentit. Komisioni hetimor është i detyruar të thërrasë dhe të dëgjojë mendimin e Presidentit të Republikës në lidhje me propozimin e paraqitur. Në përfundim të hetimit, paraqitet një raport që duhet  të shqyrtohet në një seancë të veçantë brenda 20 ditëve e më pas është Kuvendi ai që voton për shkarkimin e Presidentit të Republikës me jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij, 94 vota dhe me votim të fshehtë. Gjithsesi fjalën e fundit e ka Gjykata Kushtetuese, e cila vendos për fajësinë apo jo të Presidentit dhe si pasoje për shkarkimin ose jo të tij.

“Ne socialistët nuk i përkasim kulturës politike të arbitraritetit dhe të dhunimit të ligjit dhe dua të garantoj sot se do ndjekim në mënyrë rigoroze procedurën e kërkuar në rastin e shkarkimit të Presidentit. Përpara se t’i shkojë për votim Kuvendit shkarkimi i zotit Meta nga detyra siç parashikon procedura do të vlerësohet nga një komision i posaçëm hetimor. Është e qartë që votimi i Kuvendit në rast se propozimi për shkarkimin do të marrë më shumë se dy të tretat e deputetëve, pra 94 vota e më lartë do t’i shkojë ër vlerësim Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese ka përgjegjësinë të jetë jo që do të thotë fjalën e fundit për shkarkimin kryetarit të shtetit pasi bën vlerësimin e arsyeve që e kanë detyruar Kuvendin e Shqipërisë të hedhë një hap kaq të jashtëzakonshëm”, tha kreu i grupit parlamentar socialist./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!