SHBA e konfirmon : Irani po trajnon rusët në Krime për të përdorur dronët

schedule01:00 - 21 Tetor, 2022

schedule 01:00 - 21 Tetor, 2022

Personeli ushtarak iranian ishte në gadishullin e Krimesë të aneksuar nga Rusia duke ofruar mbështetje për sulmet me dron rusë kundër Ukrainës, thanë sot zëdhënësi i Departamentit të Shtetit , Ned Price dhe zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.

Zëdhënësi i këshillit të sigurisë kombëtare, John Kirby u tha gazetarëve se Irani ka dërguar një “numër relativisht të vogël” personeli në Krime, në gadishullin e aneksuar në mënyrë të njëanshme nga Rusia në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar në 2014-n, për të ndihmuar trupat ruse në lëshimin e dronëve të prodhuar nga Irani kundër Ukrainës.

“Informacioni që kemi është se iranianët kanë vendosur staf dhe ofrojnë mbështetje teknologjike në Krime, por janë rusët ata që po bëjnë pilotimin e dronëve”, tha Kirby.

Shtetet e Bashkuara zbuluan për herë të parë këtë verë se Rusia po blinte mjete ajrore iraniane (pa pilot) për të sulmuar Ukrainën. Irani i ka mohuar pretendimet që i ka shitur municionet e saj Rusisë.

“Teherani tani është i përfshirë drejtpërdrejt në front dhe me furnizimin e armëve që godasin civilët dhe instalimet civile në Ukrainë”, shtoi ai.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë theksoi se “Shtetet e Bashkuara do të kërkojnë me të gjitha mjetet të zbulojnë, parandalojnë dhe kundërshtojnë furnizimin me armë iraniane kundër popullit ukrainas”.

Publikimi tha se për momentin nuk dihet nëse iranianët janë të kufizuar vetëm në stërvitje apo janë gjithashtu të përfshirë në operimin e dronëve.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!