Pse të studiojmë kur punojmë në byrektore? Rama i përgjigjet studentes: Nuk është vetëm shteti zgjidhja

schedule15:18 - 19 Tetor, 2022

schedule 15:18 - 19 Tetor, 2022

Kryeministri Rama ka zhvilluar një takim pasditen e sotme me të rinjtë në Gjirokastër. Një studente e pyeti se për çfarë duhet të studiojnë kur nuk kanë vende pune. Kryeministri u shpreh se jo të gjithë do punësohen në shtet pasi edhe sektori privat ofron mundësi të pafundme punësimi.

Studentja: Jam studente në Fakultetin e Ekonomisë. Ne studentët studiojmë, na thatë dhe për trajnimin. Por për çfarë? Për të punuar në ëmbëltore, në byrektore? Studentët dhe të rinjtë janë duke ikur nga Shqipëria se nuk kanë ku të punësohen. Shkojmë dhe na kërkojnë eksperiencë ndërkohë që ne sa kemi dalë nga bankat e shkollës.

Rama: Me atë trajnimin që bëra unë mund të punësohesh pa lëvizur fare nga vendi dhe mund të marrësh një pagë që mund të jetë sa trefishi i pagës së kryetarit të bashkisë. Këtu nuk është çështja që të mbarsh shkollën dhe të punosh në ëmbëltore. Edhe pse ka plot njerëz që mbarojnë shkollat, marrin diploma edhe në botën e zhvilluar dhe punojnë edhe në ëmbëltore. E di që kur mbaron universitetin nuk janë të hapura të gjitha dyert, por nuk janë të hapura askund. Sot këtu në Gjirokastër keni shembuj të rinjsh që kanë shkuar në fshat, kanë hapur një sipërmarrje të vogël e cila rritet vit pas viti. Nuk është shteti zgjidhja. Nuk mundet që të jetë shteti vendi ku punësohen të gjithë. Në shtet punësohet një pjesë e caktuar. Në sektorin privat ka hapësira që kërkojnë sakrifica, durim, por ia dilet.

Rama sërish përsëriti thirrjen që të rinjtë të investojnë në Shqipëri dhe jo të ikin në mënyrë ilegale jashtë. Sipas tij, nëse investon në Shqipëri fiton më shumë se sa mund të fitosh në një vend jashtë me punë të ndershme./Abcnews.al.