Vitet i kanë ngadalësuar hapin, por jo pasionin, Shkodra 54 vite në objektivin e Tonin Gegës

schedule13:33 - 16 Tetor, 2022

schedule 13:33 - 16 Tetor, 2022

Nga Simon Shkreli 

Vitet i kanë ngadalësuar hapin, por jo pasionin!

“Fotoreporteri dhe gazetari duhet të jenë qytetarët e parë që zgjohen nga gjumi dhe të flenë më vonë se të gjithë. Se mund të paraqitet një moment që se kap dot të nesërmen.”

Fotoreporteri Tonin Gega nga Shkodra ka 54 vjet që nuk heq resht së fotografuari. Asgjë ditë nuk e lë në shtëpi aparatin fotografik.

“Fotografia është histori. Kemi detyrime ndaj qytetit që të bëjmë foto t’ja u lëmë brezave të mëvonshëm.”

Ishte 10 vjeç kur kuptoi se një fotografi është kujtim i rëndësishëm në jetën e kujtdo.

“Isha 10 vjeç kur babai kishte një aparat të vogël, e kam e sot. E kam ruajtur. Unë merresha me sportin me Vllazninë. Bënim foto nëpër qytete.”

Me kalimin e viteve pasionin e ktheu në profesion.

“Kur, shkova më pas ushtar, fotografinë e kisha zotëruar shumë mirë se kisha aparatin në shtëpi. Më tërhoqi laboratori qendror i ushtrisë. Fillova ti botoj fotot në gazetën e ushtrisë dhe në të tjera. Më propozuan të rrija në Tiranë tek laboratori, po nuk qëndrova.”

Për  38 vjet punoi si fotoreporter në Divizionin Ushtarak të Shkodrës.

75-vjeçari ka marrë pjesë dhe në disa ekspozita. Mijëra foto të tij janë pjesë e gazetave dhe revistave shqiptare.

“Kam bërë 14 në Galerinë e arteve. Të 14 e bërë në demokraci për ngjarjet e 2 prillit u bë tek muzeu i qytetit. 2.315 fotografi i kam botuar në organet e shtypit.”

Nëse një foto s’të emocionon, nuk je fotograf. Ky është një nga sekretet e këtij profesionisti.

“Fotografi duhet të matet mirë para se të bëjë shkrepjen, se mimika e fytyrës për pak sekonda ndryshon 7 a 8 herë. Ti duhet të kapësh momentin më të bukur. Duhet të fiksosh gjendjen shpirtërore të personit. Kur do fotografi të gëzuar nuk e bën dot kur vjen pas punë që je i lodhur.”

Një profesionist me kaq shumë përvojë ka fotografuar dhe momente të hidhura.

”Isha në një varrim pashë në një varr tjetër një fëmijë të vogël që qante prindin e tij mbi një kryq. Kjo fotografi më është botuar në shtypin francez në 2001. Po mos e kisha aparatin s’do e fiksoja dot.”

Kohët kanë ndryshuar dhe teknologjia po kështu. Tonin është përshtatur me të renë, me ngjyrat, pa harruar dashurinë e vjetër, bardh e zinë.

“Fotografia bardh e zi do ta shoqërojnë njerëzimin deri në vdekje. Fotografisë me ngjyra pas disa vjetësh i largohen ngjyrat.”

S’mundi ta trashëgojë tek fëmijët e tij këtë profesion, por shpreson tja mësojë nipit të tij.

“Prindi ka një defekt që e shfaq tek fëmija, u lodha kam ec kaq e aq. Fëmija e ndjen këtë dhe thotë sa të marr këtë profesion, marr një tjetër. Kam nipin e vogël, 6 vjeç dhe është i dhënë i kam blerë kamer dhe aparat digjital. Ai më ka ngjarë mua që mos e lërë punë e sotme për nesër.”/Abcnews.al/ 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!