Nga Peter Coy “New York Times”
Përktheu: Alket Goce-abcnews.al
Udhëheqësi i Kinës, Xi Jinping, është padyshim njeriu më madhështor sot në botë, të paktën nëse merret seriozisht mbulimi që i bën agjencia zyrtare e lajmeve, Xinhua. Faqja e saj në internet ka një seksion të quajtur Koha e Xi-së, që i kushtohet ngritjes së tij në piedestal. Disa tituj nga titujt e artikujve janë “Xi Jinping, kampion i të drejtave të personave me aftësi të kufizuara”, “Lidhja e Xi Jinping me një fshat tibetian” dhe “Xi Jinping dhe kujdesi i tij i madh për pandat gjigante të Kinës që ndodhen jashtë shtetit”.
Xi e kontrollon plotësisht agjencinë Xinhua. Ndaj në thelb, ai sheh veten në pasqyrë dhe lavdëron madhështinë e tij. Për shumicën e njerëzve që jetojnë në kombe demokratike (ndoshta jo të gjithë), një vetë-promovim i tillë duket qesharak dhe vetë-shkatërrues. Por Xi nuk ndan këtë mendim.
Ai po ndërton një kult të personalitetit të tij, për të cilin ai mendon se do ta ndihmojë atë ta sundojë Kinën pa ndonjë sfidë serioze. Duke nisur nga 16 tetori, Xi është praktikisht i sigurt se do ta konsolidojë pushtetin e tij në Kongresin XX-të Kombëtar të Partisë Komuniste të Kinës.
Ai pritet të fitojë një mandat të tretë 5-vjeçar si Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Kineze, duke e prishur traditën e tërheqjes nga ky post kyç pas një dekade. Po ashtu është e sigurt që ai do të vazhdojë të mbajë 2 postet e tjera kyçe në qeveri: si Presidenti i Republikës Popullore të Kinës dhe si kryetar i Komisionit Qendror Ushtarak.
Është koha që Xi Jinping të cilësohet si ngjitja në krye e Mao Ce Dun II. I pari me këtë emër e sundoi Kinën që nga themelimi i Republikës Popullore të Kinës në vitin 1949 dhe deri në vdekjen e tij në 1976.
Këtë tezë e kam diskutuar së fundmi në një intervistë me Christopher Marquis dhe Kunyuan Qiao, ky i fundit autori i librit të ardhshëm “Mao dhe tregjet: Rrënjët komuniste të kompanive kineze”. Mao cilësohet sot gjerësisht në Perëndim si një “patriot me disa të meta” në rastin më të mirë, dhe si një “diktator brutal” në rastin më të keq. “Hopi i Madh Përpara” e viteve 1958-1962, pra përpjekja e tij e gabuar për industrializim të shpejtë të vendit, shkaktoi një zi buke që vrau dhjetëra miliona kinezë.
Aq shumë u detyruan kinezët e zakonshëm të ndihmonin në rritjen e prodhimit të çelikut, saqë shkrinë shatat, parmendat dhe të gjitha mjetet e tjera prej hekuri në furrat artizanale të ngritura në oborret e shtëpive, duke mos pasur asnjë mundësi për të punuar arat.
Më pak se një dekadë më vonë, Mao filloi Revolucionin Kulturor: Studentët poshtëruan në publik mësuesit e tyre, duke i rrahur apo edhe ekzekutuar. Kundërshtarët e Maos në parti u ekzekutuan në masë dhe një brez i tërë i njerëzve më të mirëve dhe më të zgjuar të Kinës u internuan në fshat për riedukim (përfshirë vetë Xi).
Komunizmi dhe izolacionizmi e mbajtën Kinën të varfër nën Maon. Megjithatë Xi e sheh Maon si shumë të denjë për t’u imituar. Marquis, profesor në Shkollën e Biznesit të Universitetit të Kembrixhit, më dha shembuj: “Ai i përdor shpesh parullat e Maos. Vishet si ai dhe bën të njëjtat gjeste. Në ceremoninë festive të 100-vjetorit të themelimit të Partisë Komuniste të Kinës vitin e kaluar ai veshi një lloj kostumi shumë specifik, të cilin Mao e vishte në raste shumë specifike. Dhe e mbajti fjalimin e tij nga sheshi Tiananmen, ashtu siç bëri Mao kur shpalli themelimin e Republikës Popullore të Kinës”.
Nëse do të kishim vetëm një imitim të Maos nga Xi, askush përveç historianëve nuk do të interesohej shumë mbi këtë gjë. Në fakt po ndodh më shumë sesa kaq. Xi, ashtu si Mao, pohon primatin e Partisë Komuniste. Ai po godet të gjitha sipërmarrjet private dhe bizneset në pronësi të të huajve.
Po ashtu, Xi mbështetet shumë tek propaganda shtetëror, dhe po e ndërpret qasjen e kinezeve tek burimet e huaja të informacionit. Ai ushqen armiqësi ndaj kombeve – si Japonia, Britania dhe Shtetet e Bashkuara – të cilat ai beson se e poshtëruan dikur Kinën, dhe synon të parandalojë ngritjen e saj në madhështi sot.
Në këtë kuadër, udhëheqësi kinez synon t’i japë fund luftës civile të Maos me ushtrinë nacionaliste të Chiang Kai-shek duke gllabëruar me forcë Tajvanin, ishullin përballë brigjeve të Kinës kontinentale ku nacionalistët u strehuan pas disfatës në vitin 1949.
Një ndryshim i madh është se nën sundimin e Maos, kinezët e zakonshëm “hanin hidhërim”, siç thotë një shprehje kineze, por nën udhëheqjen e tij Xi ka shijuar ëmbëlsinë, për shkak të vazhdimit të mrekullisë ekonomike të Kinës.
Dhe ky është një avantazh i madh për Xi-në. Pazari i nënkuptuar në Kinën moderne, është se udhëheqësit e saj ofrojnë prosperitet, dhe në këmbim njerëzit japin mbështetjen e tyre të palëkundur ndaj tyre. Por politikat e Xi-së e rrezikojnë këtë pazar, duke kërcënuar kësisoj edhe zhvillimin e Kinës.
“Sjellja e shkëlqyer e qeverisë kineze në vitet 1980-1990, bazohej në faktin se ata i bënin gjithmonë gjërat në një mënyrë eksperimentale”- më tha Marquis. Një shembull është Shenzhen, zona e posaçme ekonomike në Kinën Jugore pranë Hong Kongut, që sot është kthyer në një fuqi të madhe ekonomike.
“Ata i ndryshonin gjërat aty-këtu, në varësi të mënyrës se si funksiononin gjërat. Qytete të ndryshme kishin teknologji të ndryshme të prodhimit të baterive. Disa përdornin karburant hidrogjeni”- shton ai. Xi e ka kufizuar këtë lloj eksperimentimi, duke e vënë më shumë theksin në kontrollin e Partisë Komuniste mbi levat komanduese të ekonomisë, thekson Marquis.
“Unë nuk jam aq optimist në lidhje me rritjen e ardhshme ekonomike të Kinës, sa kam qenë për një kohë të gjatë atje. Ajo duket shumë më e përqendruar në aspektin ideologjik. Libri “Mao dhe tregjet” pretendon se ai la një trashëgimi të qëndrueshme në shoqërinë kineze, si tek institucionet po ashtu edhe tek individët kinezë.
Marquis shton: “Qeveria e Partisë Komuniste Kineze i mban këto institucione dhe individë, që kanë besime të rrënjosura thellë tek Maoizmi, dhe ua përcjell ato brezave pasardhës”. Meqë joshja ndaj Maoizmit nuk u shua kurrë, nuk është për t’u habitur që Xi po ndjek verbërisht modelin e tij.
Ju mund të thoni çfarë të doni për Maon, por ai arriti ta sundojë Kinën për afro 3 dekada. Ky lloj rekordi historik ka një tërheqje të madhe për personat si Xi. Marquis thotë: “Xi ka tendenca shumë të forta maoiste”. /abcnews.al


