Një delegacion i Bundestagut gjerman që pati takime këto ditë në Tiranë, deklaroi gjatë një konference shtypi, se situata aktuale politike në Shqipëri mund të ketë ndikim në vendimin për negociatat. Deputeti Josip Juratovic tha se zgjedhjet duhet te zhvillohen siç përcaktohen në Kushtetutë.
Në këtë situatë që po kalon Shqipëria, vëmendjen e tërheqin të gjithë ndërkombëtarët që i drejtojnë mesazhe politikës, direkt apo indirekt. Kështu ka ndodhur edhe me delegacionin nga Bundestagu gjerman.
Të pyetur nga gazetarët se sa i ligjshëm është anullimi i datës së zgjedhjeve dhe nëse duhet të gjejë zbatim apo jo nga institucionet e tjera, deputeti gjerman Josip Juratovic thotë se nuk pranon të ndërhyjë në punët e brendshme por gjithsesi një përgjigje e jep.
“Nuk e konsideroj si përgjegjësi apo kompetence timen që t’i jap përgjigje pyetjeve mbi zhvillimet e brendshme në Shqipëri. Ky vend ka një Kushtetutë dhe Kushtetuta është baza e një shteti. Të paktën në Gjermani është kështu. Kushtetuta është baza e të gjithë institucioneve shtetërore dhe gjithsekush ka besim tek ajo që përcakton kushtetuta. Nëse kushtetuta parasheh që zgjedhjet do të duhet të zhvillohen në një moment të caktuar kohor, atëherë ato duhet të zhvillohen në këtë moment kohor. Vetëm në këtë mënyrë, këtë mund ta vendosin përfaqësuesit e zgjedhur të popullit, duke u bazuar në kushtetutë”.
Më i drejtpërdrejtë tregohet përfaqësuesi i delegacionit të parlamentit gjerman kur flet për bojkotin parlamentar.
“E thënë thjesht parlamenti ka të njëjtën shenjtëri sa edhe Kisha, duke qene se jam i besimit ortodoks, nuk është një treg pazari. Mund të them se bojkoti është shndërruar në një sport të dashur për shqiptarët, po bojkotoj kur s’më pëlqen një gjë”.
Këshillon shqiptarët e forcave politike që ti kushtojnë rëndësi integrimit të vendit për më tepër në këtë moment që jo të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian e shohin me sy të mirë Shqipërinë.
“Situata aktualë do të luaj një rol në vendimmarrjen e KiE. Duke qenë se në pjesën më të madhe të vendeve të BE janë parlamentet që vendosin për çeljen e negociatave, kemi nevojë të gjejmë sa më shumë argumente që të bindim që shqipëria është pjesë integrale e Europës. Kjo është dhe bindja ime. Por, sigurisht që do të flasim hapur si europianë. Duart ta themi qetësisht që jo të gjithë qytetarët në BE janë entuziast për zgjerimin e mëtejshëm të BE-së. Edhe në Shqipëri apo rajon nuk janë të tërë entuziastë për një anëtarësim të mundshëm. Besoj i referohem këtu të gjithe atyre që kanë një llojë droje përkundrejt kapitujve 23, 24”.
Delegacioni parlamentar i Bundestagut ka ndërmarrë këtë turne në rajon, duke filluar nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, dhe Kosova. Në vendin tonë kjo ndalesë ka patur për qëllim marrjen e informacionit rreth gjendjes dhe zbatimit të reformave e për të ditur me saktësi se sa e përgatitur është Shqipëria në kuadër të integrimit.
/ABC News Albania 24/7