“Provokime serioze”, Koreja Veriore teston edhe dy raketa balistike

schedule09:59 - 9 Tetor, 2022

schedule 09:59 - 9 Tetor, 2022

Koreja Veriore ka lansuar dy raketa balistike më 9 tetor, duke çuar në shtatë numrin e raketave që ka testuar në dy javët e fundit.

Raketat kanë rënë në Detin e Japonisë, sipas ushtrisë së Koresë së Jugut.

Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë jugkoreane, i ka konsideruar këto testime si “provokime serioze”.

Garda bregdetare e Japonisë ka thënë se raketat kanë rënë jashtë zonës ekonomike të Japonisë, dhe se të dyja raketat mund të jenë nisur nga një nëndetëse.

Lajmi për testimet raketore ka ardhur disa orë pasi Shtetet e Bashkuara dhe Koreja Jugore kanë kryer stërvitjet e përbashkëta ushtarake, në të cilat është përfshirë edhe një aeroplanmbajtës me energji bërthamore.

Zyrtarë veri-koreanë kanë arsyetuar testimet e fundit raketore, duke përmendur masat për vetëmbrojtje kundër SHBA-së.

Pheniani ka thënë se testimet raketore nuk përbëjnë kërcënim për shtetet fqinje.

Më 4 tetor, Koreja Veriore ka lëshuar një raketë balistikë mbi Japoni, për herë të parë në pesë vjet.

Shtetet e Bashkuara dhe Japonia kanë dënuar ashpër këtë veprim.

Testime të tilla kanë kontribuuar në rritje të tensioneve mes Koresë Veriore dhe Japonisë, që kanë rrënjët në kolonizimin e Koresë nga viti 1910 deri më 1945, si dhe rrëmbimin e qytetarëve japonezë nga verikoreanët, në të kaluarën.

Së fundi Koreja Veriore ka miratuar ligjin për shpallje të vetes si shtet me armë bërthamore.

Lideri i shtetit, Kim Jong-un, ka hedhur poshtë mundësinë e bisedimeve për çarmatosje.

Pheniani ka kryer gjashtë testime bërthamore në periudhën 2006-2017, pavarësisht sanksioneve./REL/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!