Në pritje të samitit të Parisit, mediat serbe publikojnë skenare të ndryshme të asaj që mund të ndodhë në vend nëse ky samit dështon. Por një hipotezë është dhe ajo që samiti të mos zhvillohet.
E përditshmja serbe “Blic” shkruan se nëse dështon Samiti i Parisit, janë të gatshme disa skenarë të reja për Kosovën. Ndër të tjera shkruhet se në takimin e liderëve të rajonit me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, më 1 Korrik në Paris mund të formulohet një platformë për zgjidhjen e problemit të Kosovës.
Sipas shkrimit, një propozim final mund të ofrohet para përfundimit të vitit. Por, në rast se nuk ndodh një skenar i tillë, “Blic” shkruan se një referendum për Kosovën mund të mbahet së bashku me zgjedhjet e reja parlamentare në pranverë të vitit të ardhshëm. Gjithashtu burime diplomatike kanë thënë për “Blic” se po ashtu ekziston rreziku që Samiti i Parisit të mos mbahet fare, sipas asaj që raporton lajmi.net.
Në fakt, siç spekulohet në javët e fundit, Macron dhe Merkel nuk janë dakord për mënyrën e zgjedhjes së presidentit të ri të Komisionit Evropian, por edhe rreth asaj se kush do të jenë kandidatët e institucionit evropian.
Burime diplomatike të “Blic” sugjerojnë se takimi i 1 Korrikut po ashtu mund të sjellë një platformë, e cila mund të shërbejë si zgjidhje përfundimtare e problemit.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar së fundmi se nuk e di nëse do të ndodhë takimi në Paris. Por, ai po ashtu përsëriti qëndrimin e Beogradit se Prishtina duhet të heqë taksën ndaj mallrave serbe në mënyrë që palët të përpiqen për arritjen e një kompromisi./ABC News Albania 24/7