Ndryshe nga dalja e parë ku firmosi drejtpërdrejtë dekretin që anulon zgjedhjet e 30 qershorit, Presidenti i Republikës, në këtë konferencë të dytë me gazetarët lidhur me situatën politike në vend, iu përgjigj pyetjeve të tyre edhe më i qetë e i relaksuar, siç u shpreh edhe vetë.
I pyetur nga gazetarët se a kishte frikë nga SPAK pasi kryeministri Rama është shprehur se lëvizjet e presidentit bëhen sepse ka frikë nga reforma në drejtësi, presidenti i Republikës Ilir Meta u përgjigj se nuk kishte frikë nga asnjë dhe se këtë gjë kryeministri Rama e di mire. Presidenti Meta u shpreh se faktin që ai nuk kishte frikë e dinte edhe ambasada amerikane duke iu referuar konkretisht ish-ambasadorit të SHBA Donald Lu.
“Unë nuk kam frikë nga asnjë dhe këtë e di shumë mirë Rama madje e dinë mirë edhe amerikanët sidomos zoti LU. Nëse ka një njeri që e di që unë s’kam frikë është Rama. Unë kam frikë vetëm nga përgjegjësia para popullit dhe nga detyrat që kam”, u shpreh Presidenti.
Presidenti Meta është pyetur nga gazetarët nëse do të inicionte ai një tryezë ku të ulte të gjithë palët në dialog. Meta u përgjigj me batutën se do e bënte këtë gjë në rast se nuk do të shkarkohet.
“Do të inicioj një tryezë me palët vetëm në rast se nuk do të shkarkohem, patjetër”, tha ai./abcnews.al