Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, ka folur për gazetarët në hyrje të Parlamentit rreth zgjedhjeve vendore që pritet të mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm. Ndërsa pohoi se negociatat me “grupimin Alibeaj” kanë nisur për të dalë me një kandidat të përbashkët, shtoi se nuk sheh arsye që ata të mos bashkohen.
Megjithatë, kryedemokrati theksoi se të gjithë mund të kandidojnë për bashkitë e vendit me përjashtim të njërit, duke nënkuptuar ish-kreun e PD-së, Lulzim Basha.
“Kjo ftesa ime publike është rasti i fundit. Ne e mirëpresim një takim. Nuk jemi të vonuar. Ne duhet të shpejtojmë në garë. Nuk është kjo një garë që e drejton lidershipi i PD-së. Është një garë që e përcaktojnë primaret. Formë më demokratike më civile sesa forma e një gare të hapur nuk mund të ofrojë kush. Në këto primare do të votojnë edhe simpatizantët. U kërkova partive aleate, bëni listat, të votojnë anëtarët dhe simpatizantët tuaj. Po ecën drejt mirëkuptimit. Nëse nuk bashkohen? Nuk shoh arsye se përse ata të mos bashkohen në proces. Të gjithë mund të marrin pjesë veç njërit. E merrni me mend. Është vetëm, është i izoluar. Të trajtojë problemin serioz që ka.”
Kurse i pyetur për çështjen e PD-së që do të shqyrtohet më 13 nëntor në Gjykatën e Apelit, Berisha përsëriti edhe një herë se “deputetët e Alibeajt” siç i quajti ai, nuk janë palë në çështje dhe rrjedhimisht nuk mund ta ankimonin vendimin.
Ish-kryeministri theksoi gjithashtu se vendimi u mor nga një gjykatëse të cilën e etiketoi si “mercenare politike” dhe me ndërhyrjen e ambasadores amerikane Yuri Kim, të cilës ai i referohet si guvernatore. /abcnews.al/