Pedagogët kanë nisur paraditen e së mërkurës protestën e paralajmëruar për rritjen e pagave. Protesta e sotme po mbahet përballë Universitetit Politeknik në kryeqytetet. Gazetarja e ABC, Gerta Vasku raporton se pedagogët kanë paralajmëruar se nëse nuk do të ketë reagim ndaj kërkesave të tyre, atëherë ata do të bojkotojnë edhe procesin mësimor.
Ndërkohë, kreu i Sindikatës së pedagogëve, Aleksandër Kovaçi i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama nga protesta që të reflektojë dhe të rrisë pagat sipas kërkesës së tyre.
“E mirëpresim kryeministrin për Rektoratin, por jo lëmoshë apo karamele. Me lëmoshë nuk gënjehemi. bëhet fjalë për qëndrim esencial ndaj arsimit të lartë publik. Që ti përgjigjet ekonomisë së vendit dhe kërkimit shkencor. Pa kërkim shkencor nuk ka zhvillim. Rritja 50% për dy vite, eshte e panegociueshme. Dhe per vitet e ardhmshme dy here. Nese behet kjo rritje, nuk shkojme as sa Kosova, 1200 euro”, tha ai ndër të tjera.
Disa nga kërkesat e pedagogëve:
Rritja e pagave për pedagogët dhe stafin ndihmës
Rritja e financimit për kërkimin shkencor
Rivendosja e shtesave mbi pagë për ‘Dëshmëri shëndeti në punë’
Rritja e shtesës mbi pagën për vjetërsinë në punë
Rritja e pagesës së orëve të ngarkesës suplementare
Rivlerësimi i orës mësimore pasi ka zbritje prej 50% të pagesës së orës mësimore si rezultat i mosdiferencimit të orës mësimore të leksionit.
Rishikimin e tatimit prej 23% mbi pagesën e ngarkesës suplementare
Të pezullohet deri më 2026 zbatimi i pikës c) të paragrafit të 3, i Kreut III të VKM Nr.112, datë 23.2.2018 për kriteret e marrjes së titullit “Profesor”.
Të bëhet transparencë mbi buxhetin dhe të ardhurat e universitetet publike. /abcnews.al/


