Një pilot ka humbur jetën në Shtetet e Bashkuara pasi helikopteri me të cilin udhëtonte u përplas me majën e një grataçele në Manhatan të Nju Jorkut, teksa tentonte të ulej. Guvernatori i Nju Jorkut, Endriu Kuomo deklaroi se godina 54-vjeçare, e përdorur kryesisht për zyra, u trondit nga impakti. Gjithashtu, përplasja shkaktoi një zjarr në tarracën e ndërtesës, por u vu nën kontroll nga zjarrfikësit.
Për arsye sigurie persona të shumtë u evakuuan nga kulla, por për fat të mirë nuk pati asnjë të lënduar. Guvernatori Kuomo ka shtuar se qytetarët e Nju Jorkut mbetën të trembur nga lajmi për shkak se vuajnë ende nga traumat e sulmeve të 11 shtatorit 2001. Piloti ishte i vetmi person që po udhëtonte në bordin e helikopterit, që ndodhi rreth orës 20 të së hënës, me orën tonë, në ndërtesën që ndodhet në shëtitoren numër 7 të qytetit./ABC News Albania 24/7