Ish-drejtoresha e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato është thirrur paraditen e së hënës në Prokurorinë e Posaçme, SPAK. Nuk dihen arsyet e thirrjes së saj në strukturën anti-korrupsion. Qato ka qenë e shoqëruar nga avokati i saj.
Ndërkohë, gazetari Ermal Vija raporton se Qato u paraqit në SPAK për një kallëzim të bërë nga një kompani e ndërtimit të rrugëve. Kallëzimin kjo kompani e ka bërë për kohën kur ish-ministrja ka qenë në krye të ARRSH-së dhe kur është realizuar tenderi për rrugën Kardhiq-Delvinë.
Sipas kompanisë, Qato e ka skualifikuar padrejtësisht nga gara ndërsa kërkon që ndaj saj të ngrihet akuza për shpërdorim detyre.
Aktualisht po bëhen veprime hetimore ndërsa KLSH ka bërë verifikime dhe ka paditur penalisht Qaton dhe pesë zyrtarë për kohën kur ushtronin detyrën pranë ARRSH-së me dyshimin se mund të kenë shpërdoruar detyrën.
Prokuroria, pasi ka shtyrë me disa herë hetimet, do të vendoset nëse do t’i komunikohet zyrtarisht akuza ish-ministres apo do të ketë veprime të tjera hetimore. /abcnews.al/