Pas këtij vendimi të kreut të shtetit, PS nisi procedurat për shkarkimin e presidentit. Në mbledhjen e Kryesisë së PS-së, mëngjesin e sotëm, u vendos që të enjten të paraqitet në Kuvend një rezolutë për shkarkimin e Ilir Metës. Për këtë qëllim ka nisur edhe mbledhja e firmave të nevojshme të deputeëve.
Nuk ndryshoi asgjë në axhendën e socialistëve anulimi i zgjedhjeve të 30 Qershorit nga Presidenti i Republikës. Menjëherë pasi kryetari i shtetit hodhi firmën në shfuqizimin e dekretit “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore” kryeministri njëherësh edhe kryetari I Partisë Socialiste mbledh kryesinë për të marrë vendimin e radhës.
“Në fund do i takojë Kolegjit Zgjedhor apo KQZ ta shqyrtojë nga pikëpamja juridike, por ne si kryesi e PS-së mendojmë Ilir Meta e ka humbur të drejtën të qëndrojë në atë funksion dhe Parlamenti do fillojë procedurat për shkarkimin e Ilir Metës”, tha Spiropali.
Brenda mbledhjes së kryesisë së Partisë Socialiste kryeministri Rama nuk është shprehur i surprizuar nga vendimi i Presidentit.
“Vendimi i presidentit ishte i pritshëm! Ne jemi Republikë Parlamentare, jo Presidenciale. Ndaj asgjë s’na ndal të vijojmë përpara me 30 qershorin.Të shpalosim të gjitha argumentet kundër këtij vendimi të presidentit. E enjtja do të finalizohet me rezolutë për shkarkimin e presidentit.”
Në fund do të jetë Gjykata Kushtetuese që do të vendosë, kur të ngrihet sigurisht.
“o t’i takojë Gjykatës Kushtetuese më shumë, por kjo nuk na heq ne të drejtën për të filluar procesin e shkarkimit të Ilir Metës”, tha Spiropali.
Ende pa i ezauruar të gjithë procedurat, socialistët e dinë se çdo të ndodhë me zgjedhjet vendore.
“Në 30 Qershor do ketë zgjedhje”, u shpreh Spiropali.
Pa humbur kohë mazhoranca nisi të mbledhë firmat e deputetëve të saj për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Në kërkesën për mocion me debat dorëzuar Kuvendit e firmosur nga kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla nënvizohet se akti i Presidentit është i pavlefshëm, i paprecedentë dhe në kundërshtim me Kushtetutën, pasi sipas tij synon të pengojë shqiptaret që të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në pushtetin vendor.
Neni 90 i Kushtetutës parashikon se Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë. Propozimi për shkarkimin e Presidentit në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit pra jo më pak se 35 dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se 93 deputetët që janë dy të tretat e të gjithë anëtarëve parlamentit. Vendimi i Kuvendit i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila, kur vërteton fajësinë e Presidentit të Republikës, deklaron shkarkimin e tij nga detyra./ABC News Albania 24/7