Një mjek i ushtrisë amerikane dhe bashkëshortja e tij janë akuzuar për spiunazh, pasi kanë ndihmuar Rusinë në luftën e saj kundër Ukrainës , duke u përpjekur t’i dorëzojnë Moskës të dhënat mjekësore të pacientëve ushtarakë amerikanë, tha të enjten Departamenti i Drejtësisë, sipas mediave të huaja.
Jamie Lee Henry, një mjek transgjinor, dhe Anna Gabrielian, akuzohen se po planifikonin të ndanin informacione konfidenciale rreth pacientëve të tyre në një spital ushtarak.
Prokurorët thanë se ata donin të ndihmonin qeverinë ruse “që të merrte informacione rreth gjendjes shëndetësore të personave që kishin lidhje me qeverinë dhe ushtrinë amerikane”.
Majori Henry, 39 vjeç, pretendonte përdorte certifikatat e sigurisë që zotëronte për të marrë të dhënat mjekësore të spitalit “Fort Bragg”, të vendosur në një bazë ushtarake.
Gabrielian, 36 vjeç, akuzohet se do të dorëzonte informacionet te pala ruse. Ajo ishte kontaktuar nga një agjent i infiltruar, i shtirur si punonjës i ambasadës ruse. Nëse shpallen fajtor, dy të akuzuarit mund të dënohen deri në 10 vite secili.
Çifti filloi të krijonte komplotin pasi presidenti rus Vladimir Putin pushtoi Ukrainën në shkurt, sipas aktakuzës. Gabrielian dyshohet se kontaktoi Ambasadën Ruse me email dhe telefon për t’i ofruar ndihmën e tyre.
Majori Henry është i pari ushtarak në detyrë në SHBA që ka pranuar se është transgjinor. Në vitin 2015, Ushtria Amerikane e lejoi që të ndryshonte gjininë.
/abcnews.al