VIDEO/ Rama zbulon “aktin e parë”: Sapo i kaluan shtetin 4 646 metra katrorë ndërtim pa leje në mes të Tiranës

schedule13:50 - 29 Shtator, 2022

schedule 13:50 - 29 Shtator, 2022

Pasi kryeministri Edi Rama lajëmroi vendimin se shtesat pa leje të ndërtimeve do t’i kalojnë shtetit, duket se një nga këta ndërtues ka marrë hapin për ta bërë i pari diçka të tillë.

Rama ka ndarë një video mesazh në rrejtin social Facebook, ku thotë se i janë dorëzuar shtetit 4 mijë e 646 metrave katrorë, ndërtuar pa leje në qendër të Tiranës.

“FIRMOSET AKTI I PARË I DORËZIMIT tek shteti i 4 mijë e 646 metrave katrorë, ndërtuar pa leje në qendër të Tiranës, të cilat do të përdoren sipas ligjit për interes publik”, shkruan Rama krah videomesazhit.

“Askush as opozitat që sëlënë akuzë pa bërë as mediat që slënë gjë pa thënë as drejtësia që s’lë avlli apo papafingo pa ndëshkuar, nuk i pa nuk i tha, nuk i dëgjoi katet e ndërtuara pa leje në qendër të Tiranës. Sepse çdokush e ka të ngjyer gishtin në mjaltin e tullave të betonit”, dëgjohet ai të thotë ndër të tjera në video.

Fjala e plotë e Ramës

Askush, as opozitat që nuk lënë akuzë pa bërë, as mediat që nuk lënë gjë pa thënë, as drejtësia jo e jo, që nuk lë avlli apo papafingo nëpër periferi pa ndëshkuar, nuk i pa, nuk i tha, nuk i dëgjoi, nuk i kërkoi katet dhe metrat e ndërtuara pa leje për qëllim fitimi deri dhe në mes të Tiranës. Sepse të tërë, ose e kanë të ngjyer gishtin, kush më shumë e kush më pak, kush direkt e kush indirekt, në mjaltin e tullave e të betonit, ose i kanë sytë kaq të verbuara e veshët kaq tapë nga urrejtja që i mbush gojën me shpifje, me gënjeshtra, me akuza që janë shumë të fortë me të dobëtit, por shumë të dobët me të fortit.

Ama kush ka kujtesë e di që luftën me ndërtimet pa leje dhe betejën për shijen urbanizuese dhe modernizimin civilizues e kam nisur bashkë me politikën, pa e reshtur kurrë, me shumë arritje, por dhe me disa dështime.

E kemi ulur dhjetë fish numrin e metrave katrorë pa leje që ndërtuesit e pallateve i kishin dikur bukë e djathë mu këtu në kryeqytetin e Shqipërisë, por ende nuk i kemi ndalur dot për fare, sepse gjithsesi e kanë gjetur gjithnjë rrugën për ta blerë të drejtën që nuk e kanë, duke paguar inspektorë, ndonjë polic, ndonjë shef komisariati, por sigurisht duke marrë peng gjykatës e prokurorë të cilët kanë patur gjithnjë kollaj ta tregojnë zellin e tyre me më të dobëtit, për një avlli apo dhe një çati pa leje siç thashë.

Ama tani kemi ardhur tek kapitulli i fundit i kësaj përpjekje të gjatë dhe pasi e kemi parë që drejtësia e shitur për lekët e metrave pa leje u ka hapur vazhdimisht një shteg shpëtimi, kemi marrë një vendim të ri qeverie dhe e kemi mbyllur çdo shteg, sepse mua dhe këtë qeveri, ta harrojnë, nuk na blejnë dot, askush! Unë e kjo qeveri jemi të vendosur ta çojmë deri në fund çdo përpjekje pa u lodhur as nga kthesat shpesh herë të forta, as nga të përpjetat, as nga tatëpjetat të panumërta, të përditshme, në këto kohë kaq të vështira.

Ja ku është edhe akti i parë i dorëzimit! 4646 metra katrorë pa leje në mes të Tiranës, i kalojnë shtetit me kontratë noteriale. E ky është vetëm akti i parë i marrjes për interes publik të pasurive në metra katrorë të paligjshme, që do të pasohet nga të tjerët deri në metrin e fundit katror. Prandaj, kush merret me mua e me ne duke na treguar si ata që fshihen pas kullave e pas pallateve, le ta shohë mirë të vërtetën ose le të vazhdojë të lehë, por unë i siguroj të gjithë ata që duan një Shqipëri të drejtë e që duan një Shqipëri ku ligji të jetë njësoj për të gjithë e të mos ketë të fortë para ligjit, se nuk do t’i tradhtoj kurrë!

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!