Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, ka thënë se Greqia përbën shembull të fqinjësisë së keqe dhe se për fat të keq, sipas tij, Athina zyrtare vazhdon me provokimet ndaj Ankarasë.
“Greqia është shembulli më i qartë i fqinjësisë së keqe. Fatkeqësisht, ata vazhdojnë me veprime provokuese dhe retorikë dhe po ashtu vazhdojnë politikën ekspansioniste dhe agresive”, theksoi Akar, i cili akuzoi Athinën për “rritje të tensionit dhe për akuza të paturpshme ndaj Turqisë.
“Kjo është hipokrizi, është një qëndrim me dy fytyra. Ky fqinj i keq që në çdo rast na akuzon për të tjerët, mban një qëndrim armiqësor ndaj nesh”, citohet të ketë thënë ministri turk.
Por nuk mbaron me kaq, Akar e quajti Greqinë “fëmijë të llastuar”.
“Ata po shkelin Traktatet e Lozanës dhe Parisit dhe po grumbullojnë armë në ishujt me regjim të çmilitarizuar. Me provokimin e disave dhe për fat të keq me vullnetin e BE-së, Greqia ka marrë rolin e një fëmije të llastuar, ka nxitur destabilitetin në rajon me kërkesa dhe praktika të pashembullta, të paarsyeshme, të tepruara dhe ka shpërdoruar burimet e njerëzve të saj në një përpjekje të kotë për të blerë armët, vetëm nga shqetësimi për të ardhmen e tyre politike” , shtoi ai, raporton abcnews.al.
Ministri turk, Hulusi Akar
Në të njëjtën kohë, ministri turk tha se Greqia: “Është zgjeruar tre herë në shtatë etapa që nga dita e themelimit. Na hyri nën hundë, duke akuzuar Turqinë për ekspansionizëm dhe duke folur me arrogancë të madhe për “politikën neo-otomane”, krijimin e aleancave fiktive dhe lëshimin e territoreve të saj dhe pastaj fshihet pas të tjerëve dhe përpiqet të na tregojë grushtin . I heq të drejtat e pakicës turke dhe, duke injoruar ekzistencën turke, përpiqet t’i frikësojë me politika dhe presione asimiluese, duke kryer gjenocid të ndërgjegjshëm identitar”.
Kujtojmë se presidenti turk, Rexhep Tayyip Erdogan ka kërkuar që tema kryesore në Këshillin e Sigurisë Kombëtare në Turqi sot të jetë çështja e Greqisë.
Mediat proqeveritare të Turqisë theksojnë rëndësinë e takimit të sotëm, ku do të shqyrtohen në detaje, siç thonë ata , “hapat e ndërmarra nga Greqia që pajis ishujt e Egjeut me armë”.
Ndërkohë mediat greke shkruajnë se konsiderohet e sigurt se për sa kohë Turqia do të marshojë drejt zgjedhjeve presidenciale të 2023-ës dhe për sa kohë që rezultatet e sondazheve nuk janë inkurajuese për presidentin Erdogan, “shënjestrimi” i Greqisë do të intensifikohet, për të përfituar përfitime elektorale nga nacionalistët. Gjithashtu nuk është rastësi që pothuajse të gjitha partitë opozitare ndjekin të njëjtën linjë ekstreme.
Nga njoftimi që do të dalë pas përfundimit të takimit të sotëm, pritet të nxirren përfundime se ku po shkon Ankaraja dhe si do të ecë drejt Greqisë në periudhën e ardhshme.
Mbledhja e sotme e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dominon lajmet turke. “Në këshill do të vlerësohet përgjigja ndaj provokimeve greke”, raporton rrjeti Haber Global, duke vënë në dukje: “
Momentet në të cilat anijet amfibe greke transportuan automjete të blinduara me rrota të prodhimit amerikan në Mytilini dhe Samos janë regjistruar nga UAV-të turke. Këshilli do të shqyrtojë hapat që do të ndërmerren në arenën ndërkombëtare për të pasur ndikim në sfidat e pajisjes së ishujve që kanë status të çmilitarizuar .
Çështje të tjera që do të ngrihen në takimin e sotëm janë demonstratat në rrugët e Iranit, lufta antiterroriste si dhe “incidentet e riatdhesimit të emigrantëve në Egje” ./abcnews.al/