Edi Reja: Ndaj skuadrës kërkoj lojë sulmuese, kujdes ajrin

schedule22:15 - 7 Qershor, 2019

schedule 22:15 - 7 Qershor, 2019

Trajneri i kombëtares shqiptare Edi Reja do të debutojë me kuqezinjtë të shtunën ndaj Islandës. Tekniku Italian kërkon përqendrim maksimal nga skuadra dhe loje sulmuese.

Shqipëria luan testin e radhës ndaj Islandës,  në kualifikueset e euro 2020. Trajneri i ekipit kombëtar Edi Reja është gati për debutimin në stolin kuq e zi. Tekniku Italian theksoi në konferencën e zakonshme për shtyp një ditë para ndeshjes në 15 ditët e stërvitjes nuk kanë mjaftuar për të njohur skuadrën por synimi i skuadrës është vetëm fitorja.

“I kam shprehur lojtarëve filozofinë time dhe mendoj se e kanë kuptuar. 15 ditë grumbullim nuk kanë mjaftuar por shpresoj të marrim një rezultat pozitiv pasi do ti jepte besimin futbollistëve për takimin e radhës. Pres një skuadër të vendosur mirë në fushë. Nuk dua të shoh një ekip të frikësuar dhe kërkoj të luaj në sulm. Synimi i skuadrës është gjithmonë për të fituar. Duhet të futemi në lojë me besimin se do të fitojmë dhe të shfrytëzojmë rastet e krijuara”, theksoi trajneri Reja.

Trajneri Italian injoron Eros Grezdën pas largimit nga grumbullimi i kombëtares dhe thekson se askush nuk është i pazëvendësueshëm në skuadër.

“Nuk shikoj asnjë çështje për Grezdën. Lojtari e mori vetë një vendim të tillë. Kemi pasur pikëpamje të ndryshme. Grezda e ka derën e hapur për të ardhmen. Diskutimi duhet të shtrihet në rang klubi. Të gjithë janë të vlefshëm por askush nuk është i pazëvendësueshëm”, tha Reja.

Në lidhje me formacionin që do të hedhë në fushën e lojës ndaj Islandës, kreu i bankinës së kuqezinjve nuk preferon të jap detaje madje thekson se as lojtarët nuk janë në dijeni të planit të tij. Trajneri Reja kërkon nga skuadra të bëjë kujdes në lojën në ajër pasi kjo është pika më e fortë e Islandezëve.

“Nuk mund të jap detaje për formacionin pasi këtë nuk e dinë as lojtarë, nuk ia kam thënë atyre dhe duhet pritur dita e ndeshjes për ta mësuar. Fillimisht do ta mësojnë ata. Mendoj të luaj me dy sulmues por nuk e kam marr ende vendimin.  E njoh mirë Islandën. Kanë organizim të mirë të lojës. Krosimet dhe goditjet standarte janë pika e tyre më e fortë”, përfundon trajneri i ekipit kombëtar Edi Reja.

Kuqezinjtë renditen në vendin e tretë në grupin H në kuotën e 3 pikëve ndërkohë që Franca dhe Turqia udhëheqin grupin me pikë të plota./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!