Ndërtimi i hidrocentraleve në Librazhd, banorët: Po na shkatërrojnë tokat

schedule16:05 - 25 Shtator, 2022

schedule 16:05 - 25 Shtator, 2022

Në dimër u përmbyten tokat, ndrësa në verë u thahen se nuk kanë ujë për ti vaditur.

Ndërtimi i Hidrocentraleve në Librazhd po u heq banorëve ato burime që i mbajnë gjallë.

Shefki dhe Xhane Çota 6 vitet e fundit po vuajnë pasojat e ndërtimit të HEC-it në rrjedhën e lumit që kalon pranë banesës së tyre në fshatin Kuturman.

“Problemet e ima janë që kur ka filluar ndërtimi i HEC-it.  U bënë pritat, u bllokua grykëderdhja e lumit që vjen nga fshati kuturman poshtë. Me një hektar tokë më është mbytur jonxhë, tërshërë, kam mbjell grurë. U mbyt deri në maj, i kam bllokuar me lopatë, sa të mos jetë uji Brenda”, tregon ai.

“Unë me atë tokë jam rritur dhe u plaka, dhe fëmijët me atë tokë janë rritur. Më vjen keq shumë kur mbytet toka. Vjen toka, vjen uji, aq keq më vjen sa s’ka. Kam qarë për to.”

Shefki Çota, 70 vjec thotë se është ankuar, por nuk ka marrë asnjëherë përgjigje për këtë problem.

“Shkova te grekët, te firma. Ata ishin grek dhe nuk na pyesinin fare. Kam vajtur te komuna, edhe aty “çke ti çke ti”, asnjë nuk u interesua. Tani ka mbetur vetëm qeveria, po u dëgjua zëri atje, shyqyr Zotit, nuk u dëgjua, të më marrë lumi mua dhe tokën e të gjithë të tjerat”, thotë ai.

Shefki Çota tregon se këtë vit nga frika nuk mbollën asgjë.

“S’kemi mbjell miser, asnjë kokërr fare. Sepse na thahet për ujë. Sivjet nuk mbollëm fare.”

Kanë vetëm një kërkesë.

“Unë kërkoj që bashkia të më bëjë pritë mos të mbytem.”

Shefki Çota tregon parcelën e tij dhe thotë nuk ka më asgjë.

“Këtu ka ndodhur, siç e shef toka është djerrë, toka mbytet”, thotë ai.

Banorët thonë se kur është bërë ndërtimi i HEC-it, askush nuk i ka pyetur. /abcnews.al