Përkujtimi i ditës së zbarkimit të aleatëve në brigjet e Normandisë ka bërë bashkë presidentët Trump dhe Makron. Kreu i shtetit francez u ka drejtuar një falënderim të veçantë veteranëve amerikanë, të cilët i ka nderuar me Legjonin e Nderit.
Franca nuk do ta harrojë kurrë sakrificën e trupave aleate të cilat e çliruan nga nazistët gjermanë. Kështu deklaroi të enjten presidenti Emanuel Makron, në ditën e 75-vjetorit të zbarkimit të aleatëve në Normandi. Presidenti Donald Trump dhe kryeministrja britanike Theresa Mej u bashkuan me shefin e pallatit Elize në ceremoni të ndara përgjatë vijës bregdetare prej 80 kilometrash të Normandisë, ku mbi 150 mijë ushtarë shkelën në 6 qershor të 1944-s, nën breshërinë e zjarrit gjerman.
“Ne jemi të vetëdijshëm për atë që ju detyrohemi juve. Ju detyrohemi lirinë tonë. Për llogari të vendit tim dua t’ju them faleminderit”, tha Makron për veteranët amerikanë, në varrezën amerikane të luftës që shtrihet në plazhin Omaha, një nga 5 pikat kyçe ku zbarkuan aleatët. Makron vlerësoi me medaljen e Legjonit të Nderit, nderimi më i lartë i Francës, 5 veteranë amerikanë që ishin të pranishëm në ceremoni dhe përqafoi përzemërsisht secilin prej tyre.
Takimi shërbeu edhe për një shtrëngim duarsh mes Makron dhe Trump, duke pasur parasysh marrëdhëniet disi të ftohura mes Francës dhe Shteteve të Bashkuara. “Ju ecët përmes flakëve të ferrit. Ju jeni amerikanët më të mëdhenj të të gjitha kohërave”, u tha Trump nga ana e tij veteranëve. Në të njëjtën linjë, edhe kryeministrja Mej u shprehu atyre konsideratën e saj./ABC News Albania 24/7