Mbyllja e kolegjit “Mehmet Akif” ka trazuar opinionin publik ditët e fundit, me vendimin e qeverisë që nga shumë është quajtur i paarsyetuar.
Lidhur me këtë çështje ka folur në “Radar Informativ” avokati Isuf Shehu, i cili tha se çështja është ligjore, ndërsa nëse një krytar shteti bën atë çfarë i thotë kryetari i një shteti tjetër, atëherë është çështje sovraniteti.
“Çështjet e shkollës nuk janë çështje politike. Mund të ketë çfarë të dojë kryeministri pas kësaj gjëje, por për mësuesit, nxënësit është një çështje edukimi, që është një çështje ligjore.
Çështja është që çdolloj investimi mbyllet nëse nuk është në përputhje me ligjet. Nëse kryetari i një shteti bën çfarë i thotë kryetari i një shteti tjetër,kjo është një çështje sovraniteti”, tha Shehu.
Ndërkohë, ai sqaroi edhe pronësinë e “Mehmet Akif” e po ashtu të “Turgut Ozal”, kopshti i të cilit u mbyll së fundi.
Shehu tha se arsyeja për mbylljen e kolegjit, sipas Ministrisë së Arsimit, është se godina ku janë transferuar nuk i përmbush standardet.
“Fondacioni Gulistan është një ent i pavarur, i ndryshëm nga Turgut Ozal. Gulistan ka në pronësi kolegjin Mehmet Akif. Kemi të bëjmë me dy entitete të ndryshme. Jam përfaqësues i një shoqërie aksionere së cilës i është goditur një biznes, kopshti “Zubeyde Hanim”. Është pretenduar se ka mospërmbushje të të gjitha standardeve. Kanë shkuar në një objekt që deri dje ka qenë një universitet më parë. Duke qenë se është një godinë e një niveli akademik, nuk pretendohet të mos plotësojë standardet e kërkuara. Kanë qenë rekomandime nga ana e ministrisë që janë plotësuar. Kur ka ndodhur procesi i transferimit nuk është respektuar asnjë afat ligjor, nuk është përkthyer asnjë përgjigje në kohë. Mehmet Akif ka qenë një shkollë historike ka nxjerrë njerëz që kanë shkëlqyer në të gjitha detyrat që kanë, në universitetet ku kanë shkuar. Kjo shkollë pritet të ketë jo standardet e BE, por në ndonjë shkolle marsiane. Fakti që reagoi kryeministri është reagimi i një pale. Ne do donim që të na ishte dhënë mundësia që kryeministrit t’ia shpjegonim të gjitha rrethanat se me sa duket nuk është informuar”, tha Shehu.
Shehu siguroi gjithashtu se paratë do t’u kthehen prindërve, ndërsa komentoi edhe udhëzimin për të shpërndarë nxënësit në shkolla të tjera.
“Nuk janë thasë me patate nxënësit që t’i marrim dhe t’i shpërndajmë. Nuk është problem t’u kthejmë lekët prindërve. Për më tepër nxënësit nuk duan të largohen. Çështja kryesore qëndron në faktin se ministria nxjerr një akt dhe nuk thotë si do ta zbatojmë atë”, tha avokati.
Në lidhje me mbylljen e kopshtit “Zubeyde Hanim”, Shehu tha se është rast akoma më absurd.
“Është akoma edhe më absurd. Kopshti ka qenë i licencuar në vitin ‘98 dhe në 2004 është transferuar në adresën ku ndodhet aktualisht. Nga 2004 deri më sot institucionet kanë komuniukuar me drejtoritë dhe strukturat e Turgut Ozal. Pas një inspektimi të përgjithshëm që ka bërë Ministria e Arsimit ka ardhur në shkurt të 2022 dhe ka thënë ju nuk keni një dokumentacion për transferimin e adresës, nga atje ku ka qenë në vitin ‘98 në vitin 2004. Në kohën kur është bërë transferimi nuk ka qenë detyrim ligjor të bëhej ky njoftim, megjithatë institucionet e shkollës e ndoqën këtë procedurë me rigorozitet. Në një shkresë të sekretarit të Ministrisë së Arsimit që nuk miratohet transferimi i adresës se ju nuk keni akt higjeno-sanitar, ndërkohë që aty janë kushtet”, tha Shehu. /abcnews.al