Plan për të vrarë kryeministrin Kurti? Analisti: Informacioni ka rrjedhur nga institucionet e Shqipërisë

schedule18:49 - 23 Shtator, 2022

schedule 18:49 - 23 Shtator, 2022

Pas publikimit të të dhënave nga hakerat doli në dritë një plan për eliminimin fizik të kryeministrit të Kosovës, në vitin 2021. Ishte Njësia Kundër Terrorizmit në Kosovë që zbuloi të dhënat e një përpjekje të fshehtë për të vrarë Albin Kurtin. Sipas të dhënave personi që do të kryente qitjen ishte nga Shqipëria dhe përveç Kurtit në shënjestër ishin edhe dy të tjerë.

Në dokumentet që disponohen theksohet se Njësia Kundër Terrorizmit në Kosovë ka marrë informacione për atentat ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të Ismet Haxhës, ish-anëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës dhe i afërm i Kadri Veselit dhe Xhavit Halitit, anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-deputet.

Analisti i sigurisë, Drizan Shala, në një lidhje direkte në emisionin “Ballkan”, në ABC me gazetaren Linda Karadaku tha se informacioni ishte i sigurt pasi kishte rrjedhur nga institucionet e shtetit shqiptar.

Shala: Informacioni ka rrjedhur nga institucionet e shtetit shqiptar që ndaj kryeministrit të Kosovës ka pasur plan për atentat. Kanë qenë informacione të sigurta. Nuk ka qenë një informacion që ka rrjedhur nga qytetarët, por ka qenë një informacion i vërtetuar nga shteti shqiptar. Elementi kyç është si ka mundur ky informacion të rrjedhë në opinionin publik.

Shqiptari i dyshuar sipas Njësisë Kundër Terrorizmit në Kosovë, është identifikuar si Prek Kodra.

Në dokument, theksohet nga pala shqiptare se Prek Kodra është me precedent penal dhe është hetuar për vrasje me paramendim dhe mbajtje pa leje të armëve të gjahut. Ai u shpall në kërkim në vitin 2016, ndërsa pas kontrolleve në banesë iu gjetën dy armë gjahu dhe 90 fishekë. Në shtator të vitit të kaluar u pezulluar urdhri i kërkimit, ndërsa konsiderohet si person me rrezikshmëri të lartë.

Sipas informacione të Njësisë Kundër Terrorizmit, objektivi i parë do të ishte Ismet Haxha. Objektivi i dytë ishte Xhavit Haliti, i cili do të vritej një muaj pas Haxhës për t’u dukur si hakmarrje. Më pas, do të vritej edhe kryeministri Albin Kurti. Sipas informacioneve, qëllimi i këtyre atentateve është destabilizimi i Kosovës./Abcnews.al/