Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë sot në fuqi vendimin e Shkallës së Parë lidhur me çështjen e Gjergj Kohilës. Ish-shefi i Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në drejtorinë e Qarkut Vlorë kishte ankimuar vendimin sipas të cilit shpallej fajtor me 8 vite burg për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Kujtojmë se Kohila është i hetuar në të njëjtën dosje me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri dhe apeli vendosi të lërë të pandryshuar vendimin e dhjetorit 2021. Më datë 1 dhjetor Gjykata e Posaçme e dënoi me 12 vite burg në mungesë, por që me gjykim të shkurtuar iu ul 1/3 dhe në përfundim do të qëndrojë 8 vite pas hekurave.
Ai ishte në kërkim prej 2017 me akuzën e trafikut të drogës dhe grupit të strukturuar kriminal. SPAK e akuzoi se Kohila ishte i përfshirë në trafikun e mbi 3 ton kanabis nga Shqipëria drejt Italisë, për hesap të grupit Habilaj.
Pjesë e dosjes “Habilaj” është edhe ish-oficeri Sokol Bode, si dhe ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela. /abcnews.al/