Marrëdhëniet midis Armenisë dhe Azerbajxhanit mbeten të tensionuara, me të dyja palët që akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit.
Konkretisht, Ministria e Mbrojtjes e Armenisë akuzoi sot forcat e armatosura të Azerbajxhanit se qëlluan ndaj mbrojtësve armene në kundërshtim me marrëveshjen e armëpushimit.
Pas dy ditësh luftimesh në të cilat u vranë rreth 200 ushtarë, të dy vendet ranë dakord javën e kaluar për një armëpushim të ndërmjetësuar nga Rusia për t’i dhënë fund armiqësive, megjithëse tensionet në kufi mbetën të larta.
“Më 23 shtator, në orën 07:40, njësitë e forcave të armatosura të Azerbajxhanit shkelën sërish regjimin e armëpushimit duke qëlluar nga pozicione të ndryshme kundër pozicioneve luftarake armene të vendosura në pjesën lindore të kufirit Armeni-Azerbajxhan”, thuhet në një postim në Facebook nga ministria.
Jerevani shtoi se iu përgjigj zjarrit, ndërsa vuri në dukje se nuk kishte viktima në mesin e forcave të tij. Nga ana e saj, Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit njoftoi se forcat armene hapën zjarr, duke bombarduar tre zona në kufi.
Baku njoftoi se forcat e armatosura armene bombarduam tre zona në kufi. Forcat e armatosura të Azerbajxhanit njoftuan në Telegram se kishin marrë “masa adekuate hakmarrëse”.
Në fillim të kësaj jave, Baku akuzoi Jerevanin për organizimin e “provokimeve” përgjatë kufirit duke qëlluar me mortaja dhe granata ndaj forcave të tij.
Të dy vendet kanë qenë në konflikt për disa dekada për enklavën e Nagorno-Karabakut, e cila historikisht është e populluar nga armenë, por ishte pjesë e Azerbajxhanit gjatë epokës sovjetike. Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, të dy vendet u përfshinë në dy luftëra, në vitet 1990 (më shumë se 30,000 të vdekur) dhe në 2020 (6,500 të vdekur).
/abcnews.al