“Ke kohë për një birrë”, roli i shqiptarëve në bandën e drogës

schedule12:21 - 6 Qershor, 2019

schedule 12:21 - 6 Qershor, 2019

Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me një grup kriminal, pjesë e së cilës ishin edhe disa shqiptarë. Gjatë një operacioni për goditjen e saj në pranga u vunë 17 persona, 7 prej të cilëve janë me origjinë shqiptarë. Ata janë Amorald Gjepali, Franc Gjepali, Klajdi Vrioni, Amarildo Ratund, Nelda Tartari, Muhamet Ene dhe V.Gj.

Për këtë të fundit, mediat italiane nuk e kanë treguar identitetin e plotë. Gjithashtu për arsye hetimore nuk përmendet edhe një i afërm tjetër i dy vëllezërve Amorald dhe Franc Gjepali për shkak të hetimeve që janë në vazhdim.

Mediat kanë publikuar detaje të reja rreth mënyrës se si funksiononte grupi kriminal. Mësohet se autoritetet kishin vënë nën përgjim bisedat e trafikantëve dhe konsumatorëve.

Për të mos u diktuar, ata nuk e tregonin asnjëherë fiks kohën ku takoheshin për shpërndarjen e drogës. “Je aty”? “Ke kohë për një birrë”? “Do të darkojmë sëbashku”? Këto janë shprehjet që autoritetet kanë zbuluar gjatë enkriptimit të mesazheve.

Ndërsa për të treguar llojin e lëndës narkotike që duhej, trafikantët përdornin fjalën “kartonxhez” për të simbolizuar kokainën dhe “çokollatë” për marijuanën. Për vendin e takimit ata thonin “shihemi në vendin e lodrave”. Ky vend në fakt ishte një bazë në fshatin Fondo në Alta Val di Non.

Ajo që habiti hetuesit ishin edhe mesazhet zanore e dërguara. Në to nuk dëgjohej asgjë, por u zbulua se zgjatja e saj tregonte sa gramë donte konsumatori.

Baza kryesore e grupit kriminal ishte në Val di Non dhe drejtohej nga vëllezërit Gjepali. Ata siguronin lëndën narkotike. Franc dhe Amorald Gjepali bashkëpunonin me bashkatdhetarët e tyre në Brescia. Kjo bazë rezultoi e rëndësishme për ta pasi edhe këta të fundit dinin si ti fshiheshin policisë.

Ata përdornin makina të ndryshme gjatë shkëmbimit të mallit. Një rol të rëndësishëm në grup kishte edhe gruaja e vetme e arrestuar. Nelda Tartari kishte fituar menjëherë besimin e vëllezërve Gjepali.

Këta të fundit, të kënaqur nga përfitimet që sillte tregu i paligjshëm dëshironin të hapnin një bazë të re në Bolzano, zonë ku jetonte Nelda Tartari. Ajo do t’i ndihmonte ata në logjistikë dhe operacione./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!