Periudha komuniste në Shqipëri, la pas shumë plagë për popullin shqiptar. Në kohën kur akoma nuk është kërkuar falje për krimet komuniste të kryera ndaj popullit, aktori Timo Flloko, ka kërkuar falje publike për ato role që ka luajtur gjatë viteve të diktaturës dhe kanë cenuar sensibilitetin e shtresave të ndryshme të shoqërisë.
“Publiku duhet ta dijë se për atë faj apo krim në aspektin krijues që ne kemi bërë, kërkojmë falje”,- u shpreh Timo Flloko në “News 24”. Flloko ka folur për rolin e tij të fundit në Teatrin Kombëtar, atë të Martin Dysartit në dramën “Equus”, me regji të Dino Mustafiç, për kritikën, por edhe për debatin në lidhje me ndalimin e disa prej filmave të realizuar përpara viteve ’90.
Flloko e pranon se në disa syresh, sidomos në filmat me partizanë, ka elemente qesharake dhe se Balli Kombëtar dhe kleri është trajtuar në mënyrë tendencioze e tallëse, por, sipas tij, ka edhe filma që nuk përbëjnë asnjë problem.
“Po ç’të keqe ka filmi me Ismail Qemalin, po qoftë edhe ata filma me partizanë, si te “Malet me blerim mbuluar”, me atë dasmën, që për mua është një film i mirë? A ka pasur tendencë skematike, keqtrajtuese? Në disa drejtime, sigurisht që po. Jemi tallur e stërtallur me ballistët.
Ata kanë qenë kundërshtarë politikë, ne i kemi bërë qesharakë. Kjo është për mua një gabim, sepse nuk i kemi evidentuar si kundërshtarë të denjë politikë, sepse ashtu kanë qenë, madje në krye të tyre kanë qenë edhe personalitete të kulturës shqiptare. Por edhe qëndrimet ndaj kulteve fetare, priftit, hoxhës, kanë qenë ekstremisht tendencioze dhe të gabuara. Po të kujtoj rolet e mia si partizan, te Meço, për shembull, mbaj mend që hidhja një bombë dhe i vrisja të gjithë gjermanët. Kjo është qesharake”, tha Flloko.