SHBA, ish-këshilltarja “tradhton” Trump

schedule20:45 - 4 Qershor, 2019

schedule 20:45 - 4 Qershor, 2019

Një ish-këshilltare e afërt e presidentit Donald Trump ka pranuar të bashkëpunojë me Kongresin në hetimet mbi ndërhyrjen ruse. Lëvizja e saj ka ardhur pavarësisht se Shtëpia e Bardhë i kishte bërë thirrje të mos bashkëpunonte me demokratët.

Ish-shefja e departamentit të komunikimit në Shtëpinë e Bardhë, Hop Hiks, dikur e afërt me presidentin Donald Trump, ka pranuar t’i dorëzojë Kongresit dokumentet mbi fushatën elektorale të vitit 2016. Pranimi nga Hiks shënon një hap përpara për komisionin për çështjet gjyqësore të Kongresit në hetimet e tij mbi rrethin e ngushtë të Trump.

Demokratët po gërmojnë për të zbuluar shkeljet deri tani të supozuara të Trump si gjatë fushatës, ashtu edhe gjatë presidencës dhe përmes bizneseve të tij private. Hiks pranoi të dorëzonte dokumentet pavarësisht se Shtëpia e Bardhë kishte lëshuar një direktivë ku i bënte thirrje asaj që të mos bashkëpunonte me komitetin.

Ajo dhe ish-avokatja e selisë presidenciale, Eni Donaldson ishin thirrur për të dëshmuar nga demokratët më 21 Maj, në kuadër të hetimit që synon të zbardhë nëse Trump dhe ekipi i tij janë përpjekur të pengojnë drejtësinë në hetimet mbi ndërhyrjen ruse. Komisioni për çështjet gjyqësore po kërkon materiale mbi një takim të zhvilluar në qershor të vitit 2016 në kullën Trump në Nju Jork, mes djalit dhe dhëndrit të Donald Trump, për të ofruar ndihmë në favor të kandidaturës së tij në zgjedhjet presidenciale./ABC News Albania 24/7