Vrasja në Shkodër, policia: Autorët u larguan me motoçikletë, po i ndjekim

schedule21:10 - 18 Shtator, 2022

schedule 21:10 - 18 Shtator, 2022

Krimi tronditi sërish Shkodrën mbrëmjen e kësaj të diele. Një i ri u qëllua me armë teksa ndodhej në një lokal, duke mbetur i vdekur në vend.

Përmes një njoftimi zyrtar, policia bën të ditur se Erjon Xhenja, 19 vjeç është vrarë në rrethana ende të paqarta. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:10, në bulevardin “Bujar Bishanaku”.

Pasi kanë qëlluar për vdekje të riun, i cili ndodhej në lokal, autorët janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes me motoçikletë. Policia thotë se është vënë në ndjekje të tyre.

Lexo edhe: VIDEO/ Momenti prekës kur babai mbërrin në lokalin ku iu vra djali në Shkodër

Sakaq, nga burime mësohet se është gjetur një motoçikletë e djegur në lagjen “Guerrile”, që dyshohet të jetë e autorëve.

Nga ana tjetër, grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje, ndërsa FNSH vijon kontrollin e zonës.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 20:10, në bulevardin “Bujar Bishanaku”, në lagjen “Naim Gjylbegu”, në një lokal, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri shtetasi E. Xh., 19 vjeç, banues në Shkodër.

Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorëve, të cilët janë larguar me një motoçikletë.

Në lagjen “Guerrile” është gjetur nje motoçikletë duke u djegur dhe një armë zjarri pistoletë, që dyshohet se janë përdorur nga autorët.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.

Shërbimet e Policisë Vendore dhe FNSH Shkodër vijojnë kontrollin e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorëve.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!