Nga Erblina Mile
Sezoni turistik ka sjellë më shumë para jashtë sistemit bankar. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se vetëm në korrik në ekonominë shqiptare kanë qarkulluar mbi 375 miliardë lekë “CASH”. Nëse shohim shifrat ky nivel është më i larti i regjistruar nga Banka e Shqipërisë që prej vitit 2002 periudhë kur ka nisur publikimi i të dhënave për paratë që përdoren jashtë kanaleve zyrtare.
Nëse e krahasojmë me një muaj më parë rezulton se paratë që janë përdorur në dorë janë rritur me 4 miliardë lekë. Tendenca e rritjes së parave jashtë bankave u forcua sidomos gjatë periudhës së pandemisë kjo si pasojë e pasigurisë së krijuar tek individët të cilët tërhoqën paratë nga bankat.
Një tjetër faktor në favor të rritjes së parasë cash gjatë këtyre viteve mendohet të jenë edhe normat e ulëta të interesit që mund të kenë nxitur huadhënien informale, në kërkim të interesave më të larta.
Ekspertët sqarojnë se shuma e parave që qarkullojnë jashtë sistemit bankar është një tregues i informalitetit në një ekonomi.
Informaliteti i lartë në ekonominë shqiptare, favorizon evazionin fiskal dhe pastrimin e parave nga aktivitetet e jashtëligjshme.
Në total qarkullimi i parave jashtë sistemit ka tejkaluar 40 përqindshin , fenomen ky shumë shqetësues sipas ekspertëve. Pavarësisht masave të mara në Shqipëri vijon përdorimi në masë i parave në dorë ndërkohë që blerjet nëpërmjet kartave bankare mbeten minimale duke u renditur të fundit në rajon. /abcnews.al/