Berisha: Afera Basha me financimet ruse është personale, kërkojmë rihapjen e hetimit

schedule12:41 - 16 Shtator, 2022

schedule 12:41 - 16 Shtator, 2022

Sali Berisha në konferencën e përjavshme me gazetarët ka kërkuar rihapje të hetimit lidhur me financimet ruse në politikën shqiptare.  Ish-kryeministri theksoi se Basha duhet të japë përgjigje për origjinën e këtyre parave. Sipas tij, ish-kreu i PD-së, Lulzim Basha është mbajtur peng me dosjen Muzin dhe çështja ndaj tij “u mbyll me ndërhyrjen e Agaçit.”

Berisha: Lidhur me aferën Basha, deklaroj sa vijon:

Në vitin 2018, ambasadori Lu më solli një dosje me shkrimin e portalit Mother Jones. Në dosje, përveç artikullit të revistës dhe një flete se Nick Muzin ishte i regjistruar si lobist i Bashës, nuk kishte asnjë dokument tjetër. Lulzim Basha, i pyetur nga unë, më deklaroi se paratë e paguara për Nick Muzin, janë para të mbledhura në përputhje me rregullat në diasporën shqiptare në SHBA dhe se artikulli nuk ka asgjë të vërtetë. Midis artikullit të gazetës dhe shpjegimit të Bashës, unë kam besuar variantin e këtij të fundit. Më vonë jam vënë në dijeni të faktit se Basha mbahej peng me dosjen Muzin, dhe se çështja ndaj tij u mbyll në gjykatë me ndërhyrje të Agaçit, ku prokurori duke shkelur ligjin, nuk bëri rekurs në Gjykatën e Lartë, në kundërshtim flagrant me ligjin. Këtë e kam denoncuar si akt nga foltorja në foltore. Më vonë jam informuar se Basha kishte mashtruar dhe nuk kishte bërë mbledhje fondesh në diasporë.

Pas këtyre informacioneve, burimi i parave mund të ishte rus, siç thoshte revista. Bazuar në këto informacione, më 4 prill të vitit 2022, kam denoncuar para jush financimin rus të Lulzim Bashës dhe mbylljen e dosjes nga Edi Rama. Rikthimi i kësaj çështje, provon atë që kam denoncuar disa herë, provon se Basha është mbajtur peng me këtë dosje dhe duhet të japë përgjigje për origjinën e këtyre parave. Nga informacionet paraprake që kam, nga fondet që Biniatta ka dorëzuar te Nick Muzin, nuk kanë kaluar asnjë prej tyre nga arka e PD-së dhe fondet e PD-së. Për këtë arsye, përgjegjësia nuk është e PD, por është individuale e Lulzim Bashës dhe atyre që janë përfshirë në këto sanksione. Duke u distancuar nga kjo aferë kryekëput e ish-kryetarit të PD, dhe duke u zotuar se do të ngrejë një komision auditi për të bërë transparencën e plotë, kërkojmë hapjen e një hetimi të plotë për të larguar çdo dyshim që lidh PD-në me dosjen ruse.

Lidhur me këtë çështje, ambasadorja Kim zhvilloi dje takime me Damian Gjiknurin, Jorida Tabakun, Monika Kryemadhin dhe komisionerin qendror të zgjedhjeve Ilirian Celibashi. Ndërsa ditën e sotme, ambasadorja takoi kryetarin e Grupit Parlamentar të PD-së Enkelejd Alibeaj dhe atë të PS-së Taulant Balla.

Rusia ka dhënë fshehurazi mbi 300 milionë dollarë për parti politike dhe kandidatë në dhjetëra vende, që nga viti 2014 dhe Presidenti Putin është angazhuar në financim të fshehtë politik në mbarë botën, sipas një zyrtari të lartë amerikan.

Sipas zyrtarit që foli me median, ky është përfundimi në të cilin arrin një raport i komunitetit amerikan të zbulimit i cili ka analizuar financimet e Rusisë “në mbi 24 vende gjatë viteve të fundit në një përpjekje për të manipuluar demokracitë nga brenda”.

Sipas një burimi me njohuri mbi raportin amerikan të zbulimit, Shqipëria është një nga këto vende.

“Në Shqipëri, Rusia i dha rreth gjysmë milioni dollarë Partisë Demokratike në 2017 përmes kompanive fantazëm”, tha burimi i qeverisë amerikane.

Burimi nuk dha hollësi të mëtejshme për rastin e Shqipërisë. Por viti 2017, emri i Partisë Demokratike dhe shifra e përmendur prej 500 mijë dollarësh përkojnë me hetimet që janë hapur në Shqipëri në atë kohë ndaj PD-së bazuar në deklarimet që firma lobuese amerikane ‘Muzin Capitol Partners’ ka raportuar se ka marrë nga PD-ja.

Firma lobuese amerikane kishte deklaruar në vitin 2018 në Departamentin amerikan të Drejtësisë, se ajo kishte marrë gjithsej tre pagesa, në një shumë prej 675 mijë dollarësh, për punën e saj në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017.

Pagesa e parë mban datën 24 mars 2017 dhe është bërë nga firma ‘Biniatta Trade LP”, me një vlerë prej 150 mijë dollarësh, dy pagesat e tjera, sipas deklarimit janë bërë nga Partia Demokratike, njëra më 27 mars, për 25 mijë dollarë, dhe tjetra më 9 qershor për 500 mijë dollarë.

Në një artikull të gjatë hulumtues rreth këtyre pagesave për Muzin Capitol, revista amerikane Mother Jones ngrinte dyshime se pas një pjese të pagesave të bëra nga kompania “Biniatta Trade LP” me bazë në Skoci, për aktivitete lobimi në favor të PD-së para zgjedhjeve të vitit 2016 në Shqipëri, qëndronin biznesmenë rusë.

Lulzim Basha e përgënjeshtron 

Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Bashi ka përgënjeshtruar pretendimin e SHBA-ve, sipas të cilit, Partia Demokratike është financuar nga Rusia.

Nëpërmjet një postimin në Twitter, Basha thekson se PD nuk ka marrë kurrë asnjë financim të huaj, e aq më pak me burim rus.

“Partia Demokratike nuk ka marrë kurrë asnjë financim të huaj e aq më pak me burim rus. Kur pretendime të tilla u qarkulluan në disa media, Partia Demokratike i kërkoi zyrtarisht drejtësisë hetimin e këtyre akuzave dhe bashkëpunoi plotësisht me drejtësinë e cila hodhi poshtë çdo pretendim për financime të huaja. Ne jemi krenarë për partneritetin e palëkundur me aleatin tonë strategjik, SHBA dhe të vendosur të ecim përpara në krah të aleatëve tanë euro-atlantikë për konsolidimin e vlerave perëndimore dhe integrimin e plotë të Shqipërisë në BE.”, shkruan Basha në Twitter.

/Abcnews.al/